Tre sirianë u vranë nga shpërthimi i një makine bombë në juglindje të Turqisë.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se incidenti në qytetin Rejhanli, pranë kufirit me Sirinë, mund të jetë i lidhur me terrorizmin.
“Është e qartë se ka pasur një bombë brenda makinës”, tha Erdogan dhe shtoi se hetimet janë duke vazhduar.
Agjencia e lajmeve Reuters citoi burimet e saj të kenë thënë se njëri nga pasagjerët sirianë në makinë ka qenë sulmues vetëvrasës, eksplozivët e të cilit kanë shpërthyer më herët.
Burimet thanë se pasagjerët në automjet po hetohen për lidhje të mundshme me grupin ekstremist Shteti Islamik.
Rejhanli strehon mijëra refugjatë sirianë.
Në vitin 2013, nga shpërthimi i dy makinave bomba atje kanë mbetur të vrarë mbi 50 njerëz, në mesin e tyre pesë fëmijë.
Atëbotë, Turqia ka akuzuar një grup besnik ndaj Qeverisë siriane për kryerjen e sulmeve. Damasku e ka mohuar përfshirjen.