Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan është kritikuar pasi u zbulua se ka marrë tre doza vaksine të COVID-19 pavarësisht se vendi i tij po përpiqet të sigurojë mjaftueshëm për punëtorët kryesorë.
Erdogan, 67 vjeç, mori dozën e parë të vaksinës kineze, Sinovac në janar dhe një të dytë në shkurt.
Këtë javë ai pranoi se kishte pasur një dozë të tretë në muajin mars, por nuk tregoi nëse vaksina ishte Sinovac ose Pfizer-BioNtech.
Në kohën kur ai po merrte vaksinën e tretë, turqit e zakonshëm po prisnin 12 javë – dhe jo katër të rekomanduara – për të marrë vaksinën e tyre të dytë për shkak të mungesës së vaksinave në vend.
Engin Ozkoc, kreu i grupit parlamentar të Partisë Popullore Republikane tha se “Nuk ka asnjë dozë për qytetarët, por tre për Erdogan.”
Gati 50 mijë njerëz kanë vdekur nga COVID-19 në Turqi, e cila ka qenë duke luftuar për të shpërndarë dozat e vaksinave shpejt. Sipas Reuters, më pak se 20 përqind e turqve kanë marrë dy doza.