Disa qindra vetë janë arrestuar përsëri në Turqi nën akuzën se janë të lidhur me lëvizjen Gylen dhe se janë përfshirë në grushtin e dështuar ushtarak në vitin 2016.
Policia turke ka nisur një operacion në shkallë të gjerë ndaj personave të dyshuar, se ishin përfshirë në përpjekjen për grusht shteti katër vjet më parë. Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu njofton se dy ditët e fundit në 22 provincat turke janë arrestuar më shumë se 400 kundërshtarë të qeverisë. Bastisjet e policisë qenë përqendruar në metropolet e Stambollit, Ankarasë dhe Izmirit dhe të provincës Qendrore të Anadollit, Konya.
Erdogan vazhdon arrestimin e gylenistëve, opozita thotë se arrestimet janë politike
Sipas njoftimeve të mediave ndër të arrestuarit bëjnë pjesë ushtarakë, mjekë dhe mësues. Përveç tyre janë arrestuar edhe pjesëtarë të Forcave Ajrore dhe të forcave të tjera të sigurisë.
Goditje ndaj opozitës
Ndër të tjera, të dyshuarit akuzohen se kanë lidhje me organizatën Gylen. Gjatë operacioneve të policisë njoftohet se janë arrestuar jo vetëm mbështetës të dyshuar të Gylenit në radhët e forcave të policisë, por edhe përfaqësues të opozitës. 149 syresh gjendjen në gjendje arresti hetimor.
Qeveria turke ka vite që përndjek mbështetësit e lëvizjes së predikuesit në mërgim, Fethullah Gylen. Organizata e tij konsiderohet në Turqi si terroriste.
Autoritetet e akuzojnë lëvizjen Gylen, mes të tjerash, se ka depërtuar brenda shtetit turk dhe se qëndron pas grushtit të shtetit në tentativë në vitin 2016. Gyleni i hedh poshtë pretendimet. Sipas informacioneve zyrtare nën akuzën se kanë qenë të lidhur me përpjekjen për grusht shteti deri tani janë dënuar 80,000 vetë dhe rreth 150,000 nëpunës civilë, përfshirë rreth 20,000 ushtarakë, të cilët janë pushuar nga puna ose pezulluar.