Erërat e forta që kapluan të hënën Prishtinën, shkaktuan plagosjen e një personi nga xhamat që u thyen në bibliotekën Hivzi Sylejmani, bënë të ditur zyrtarë të Komunës së Prishtinës.
Fatmir Bilalli, nga sektori i emergjencave, tha për Radion Evropa e Lirë se erërat e forta rrëzuan pemë dhe shkaktuan dëme të tjera materiale në shumë pjesë të kryeqytetit të Kosovës.
“Problemi më i madh mbetet rrëzimi i gjësendeve nga kulmet e shtëpive dhe banesave, që paraqesin rrezik për qytetarët që kalojnë afër tyre”, tha Bilalli.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, i ftoi qytetarët të kenë kujdes.
“Për shkak të erërave të forta në Prishtinë, i lusim qytetarët të qëndrojnë në hapësira të mbyllura sa më shumë dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në ambiente të hapura”, tha Ahmeti.