Erërat e fuqishme në Dukagjin, Kurti thotë se do të marr masat e duhura

Prishtinë | 06 Shk 2020 | 15:27 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se banorët në Komunën e Istogut, e në disa pjesë të Klinës e Pejës, duhet të kenë kujdes këto ditë për shkak të erës së fortë e cila ka përfshirë këtë rajon.

Kurti ka deklaruar se era e fortë ka rrëzuar kulme shtëpish, ka dëmtuar prona private e biznese, e ka rrëzuar shtyllat e rrjetit elektrik “Dëmet kanë qenë të mëdha sidomos në Istog ku është ndërprerë dhe mësimi në shkolla. Për fat të mirë nuk jemi njoftuar për të lënduar”, ka pohuar ai.

I pari i ekzekutivit, ka thënë se Qeveria është udhëzuar të ketë vëmendjen e nevojshme ndaj kësaj situate, për të vlerësuar sfidat dhe për të marrë masat e duhura, për t’iu gjendur pranë qytetarëve.

Kryeministri Kurti, ka njoftuar se në mëngjesin e datës 7 shkurt, do të vizitoj komunat e Istogut, Pejës e Klinës, për të parë nga afër situatën e për të dëgjuar se cilat janë nevojat e institucioneve dhe ato të qytetarëve.

Erërat e fuqishme që kanë përfshirë rajonin e Dukagjinit, kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Si pasojë e erërave të forta një pjesë e banorëve në Pejë, Istog dhe Klinë kanë mbetur pa energji elektrike.

Gjithashtu, si pasojë e motit të ligë në Komunën e Istogut, Dragashit dhe Kamenicës nuk është zhvilluar mësim në asnjë institucion arsimor.

https://www.facebook.com/albini2017/posts/799194103913809
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme