Erion Veliaj mohon se u arratis nga Shqipëria: Po shkoj në SHBA për punë

Prishtinë | 28 Dhj 2024 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka mohuar se po arratiset nga Shqipëria pasi u intervistua për pesë orë nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) të enjten për një hetim pasuror.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, të shtunën publikoi një foto të Veliajt në aeroplan duke aluduar se po arratisej nga drejtësia. Berisha kërkoi kthimin e menjëhershëm të tij në Shqipëri ose dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Por në një status në Facebook, Veliaj ka thënë se po udhëton në SHBA për disa takime që ka aranzhuar më herët. Ndërsa sulmon ashpër Berishën.

“O Sali, o kërmë, që paske dhënë lajmin se jam arratisur nga Shqipëria, meqë ndonjë nga çimkat e tua më paska parë në avion. Po shkoj në Amerikë, për takime që i kam lënë prej kohësh, se jam kryetari i Bashkisë së Tiranës, dhe nuk jam Non Grata, o fundërrinë e historisë, që u bërë stërgjysh dhe sa më shumë zhubravitesh në atë surratin e lig, aq më shumë qelb Tiranën me gojën tënde”, ka shkruar ndër të tjera Veliaj në Facebook.

Ai bse do të kthehet pas dy ditëve.

SPAK-u bëri të ditur se po e heton Veliajn për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Në reagim pas intervistimit në SPAK, kryebashkiaku i Tiranës ka thënë se u denoncua nga një person anonim i quajtur Nesti Angonin. Ai u ka bërë thirrje prokurorëve ta thërrasin për intervistim edhe personin denoncues.

Më 6 dhjetor 2024 SPAK sekuestroi telefonin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa. Me vendim të Gjykatës kontrolle u kryen dhe në studion ‘Harabel’ te ish-Blloku në Tiranë ku u sekuestruan dhe dokumente që kanë të bëjnë me hetimet e nisura në lidhje me pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij.

Të ngjashme