16-vjeçari, Eronit Rrahmani po shihet si shpresë e së ardhmes së basketbollit të Gjilanit dhe Kosovës.
Është i lindur në vitin 2007, i mishëruar skajshmërish me lojën nën trapez – basketbollin. – U dashurua me këtë sport nga të tjerët teksa fillimisht i shikonte në lagje, në shkollë e kudo tjetër, e më pas teksa filloi të luante edhe vet.
Fillimisht e dëshironte vetëm si aktivitet fizik, pa pasur ndonjë synim tjetër, por me kalimin e kohës u mishëruar gjithnjë e më shumë me këtë sport, për të vijuar aktivitetet e mëpastajme në mënyrë profesionale përgatitore, te KB Drita.
Ndonëse akoma 16-vjeçar dhe bënë pjesë në kategorinë e grupëmoshave, Eroniti herë-herë luan me kategori të seniorëve, për të s’provuar veten aty ku sukseset kërkojnë tjetër nivel përgatitor, tjetër përkushtim, ku kërkojnë mund e sakrificë shumë më të madhe!
Tashmë është e qartë dhe e ditur se asnjë sportist kulminant nuk do të arrinte majat e sukseseve pa pasur mbështetjen e parezervë të më të afërmve – familjes, që ia dëshirojnë pa kushte sukseset. – Nuk do të thoshte më kot legjenda e basketbollit të NBA-së Kobe Bryant se “Prindërit janë kurrizi im. Janë i vetmi grup njerëzish që do t’iu mbështesin nëse i shënoni 0 pikë apo nëse shënon 40 pikë!”.
E pikërisht familja e Eronitit, prindërit e të afërmit, janë ata që e kanë mbështetur parimisht, por që vazhdojnë akoma ta mbështesin pa rezervë, qoftë moralisht apo materialisht.
“Eroniti ka dhënë prova të pafund që meriton ta ketë mbështetjen e familjes, për ta kurorëzuar “ëndrrën” e tij”, tha fillimisht babai i tij Fadili, teksa tregonte me delikatesë për personalitetin e veçantë të Eronitit.
“Ne si familje ia kemi plotësuar të gjitha nevojat, por ai ka dëshmuar sa e sa herë se është aq i arsyeshëm në kërkesa, sa fare nuk brengosemi për to. Eroniti asnjëherë nuk e tepron, ndërsa i ka të paracaktuara mjetet mujore, të cilat ai vet i administron, madje në mënyrën më të mirë të mundshme”, vijoi Fadil Rrahmani, teksa tregonte për cilësitë e posaçme në aspektin ekonomik që e karakterizojnë si individualitet Eronitin.
– E për të jetësuar ëndrrat duhet mësuar nga pararendësit, p.sh. po nga legjendari Kobe Briyant, i cili përveç që la gjurmë ta pashlyeshme në fushë, ka lënë edhe fjalë të mëdha për personalitetet e formuara dhe formësuara, të dashuruara në lojën e basketbollit, siç ishte fjalia famoze: – “Fitorja ka përparësi mbi të gjitha gjërat tjera në basketboll. Nuk ka zonë hiri. Nuk ka ‘për pak’ në fitore!”, apo, – “Në momentin që hiqni dorë, është çasti kur ju definitivisht e lini dikë tjetër të fitoj”, ose, – “Unë nuk ndërlidhem me dembelët. Nuk e flasim të njejtën gjuhë! Nuk ju kuptoj! Nuk dua t’iu kuptoj!”, ose akoma më insistues kur thoshte para miliona shikuesve se – “Nëse frikësoheni se do të dështoni, atëherë me shumë siguri do të dështoni!”
Këto pra ishin disa nga mesazhet e shumta të basketbollistit legjendar amerikan, që ua ka lënë gjeneratës së tanishme e atyre pasuese, të cilat thënie vlejnë si një “mbishkollë profesionale motivuese”, për ata të cilët janë të përkushtuar që karrierën t’ia atribuojnë sportit, e veçmas basketbollit!
Planifikimi, mosha, koha, aktiviteti fizik, ushtrimet, mësimet!
I ka të gjitha aktivitetet ditore të planifikuara paraprakisht, ndërsa stërvitet tri herë gjatë javës, drejt majave të sukseseve, pasi në sport e veçmas në basketboll kërkohet mund i madh e punë intensive për të sendërtuar “ëndrrën” që një ditë të tejkalosh rutinën e zakonshme të rrafshit Kombëtar, e të arrish majat e sukseseve si sportist, përtej këtij rangu, në rrafshin ndërkombëtar!
Rruga deri atje nuk është aspak e lehtë, sidomos në sport, e aq më e pazakontë është në basketboll. Por Eroniti është i vendosur, ndonëse deri më tani ka pasur edhe momente delikate si rrjedhojë e lëndimeve, të cilave nuk ka mundur t’u ikë madje as ai, e të cilat lëndime janë shkaktarë mbase kryesorë që në shumë raste sportistët potencial i sjellin para aktit të kryer, braktisjen e karrierës dhe i detyrojnë të dorëzohen!
“Sfidat kryesore me të cilat jam përballur gjatë kësaj periudhe, kanë të bëjnë kryesisht me lëndimet, sepse një lëndim i këmbës mund të ta humbë gati-gati një sezon. E lëndimet janë aq të shumta e aktive në basketboll”, tregon Eroniti teksa flet për ecurinë entuziaste të filleve të karrierës së tij, duke nënvizuar se pikërisht “fillimet e karrierës te basketbollisti mund të jenë shumë më të vështira.
“Mendoj që me përkushtimin tim e punën që e bëjë gati qe dy vite në vazhdimësi, por edhe me ushtrime individuale të mëtejme, mund të arrij të bëhem pjesë e ekipit përfaqësues të Kosovës”, shprehet entuziast Eroniti.
Pikërisht gjenerata U-16 e KB Drita është gjenerata më premtuese për të realizuar me klubin aspiratën kryesore – Ligën elite të basketbollit të Kosovës në të ardhmen, e këtë barrë të kësaj grup-moshe e bartin bashërisht pikërisht këta basketbollistë të gjeneratës së Eronitit, të cilët vlerësohen si shpresa e basketbollit gjilanas, për t’ia kthyer qytetit namin e dikurshëm në këtë sport.
E padyshim që Eroniti në sytë e njohësve të basketbollit vlerësohet si e ardhmja shpresëdhënëse edhe për faktin se është jashtëzakonisht i motivuar, por edhe i përkushtuar në mënyrë permanente për klubin dhe vet basketbollin, sikurse për karrierën.
“Po, është e saktë… për të arritur suksese maksimale në basketboll në Kosovë duhet shumë punë. Ajo është çështja kryesore e parësore, kurse çështja e dytë është përkushtimi i vet sportistit, ndërsa e treta është, bashkëpunimi dhe realizimi i rekomandimeve të trajnerëve, gjegjësisht bashkëpunimi me ta”, vijon Eroniti, teksa flet me entuziazëm për aspiratat e tij.
E ajo që bie në sy teksa mbanë një korrespodencë të drejtpërdrejtë komunikimi me Eronitin, është natyra e tij e qetë që e karakterizon, ndërsa shpërfaqë një ndjesi dashamirësie të artikuluar rrjedhshëm, me një ngjyrë zëri që vë në pah doemos vendosmërinë e tij si atribut shtesë.
Ai poashtu në biseda spontane duket të jetë i përkushtuar teksa flet për basketbollin, ndërsa shihet tek ai qartësisht se dashuria për këtë sport i buron nga thellësia e qenies së tij, ndërsa sqaron synimet që ia ka dhënë vetes. Ai njëherit shpërfaqë dashamirësi e respekt të nënkuptueshëm mes rreshtash ndaj bashkëbiseduesit, si dhe një sërë atributesh tjera, të cilat vërtetë e bëjnë të veçantë si personalitet fillimisht e tek pastaj si sportist e basketbollist.
Potencialet e Eronitit sipas trajnerit
E personaliteti i tij i dashur dhe i veçantë nuk ka sesi të mos bie në sytë e trajnerit Laurant Ibrahimi, i cili përveç që e vlerëson si sportist e basketbollist, shprehet i bindur se do të ketë një të ardhme atraktive në basketboll, ndërsa e vlerëson të gatshëm që tani për t’iu rrekur sfidave të mëdha!
“Eroniti potencialisht ka mundur të jetë i ftuar në reprezentacion, madje kam pritur të ftohet deri më tani, por çuditërisht nuk është ftuar akoma! – Ai, bënë pjesë në kategorinë e dhjetë lojtarëve më potencial të grupmoshës së tij në Kosovë”, shtoi trajneri Ibrahimi.
Basketbollistët duhet të rrisin numrin e stërvitjeve dhe ta shoqërojnë me pjesën e fitnesit, për qëndrueshmëri fizike më të madhe, vijon ai teksa vlerëson potencialet aktuale të gjeneratave të grup-moshave të Klubit të Basketbollit Drita.
“Kjo gjeneratë është e jashtëzakonshme, e destinuar për suksese të mëdha të së ardhmes së basketbollit të Dritës, ndërsa Eroniti mendoj që është nga basketbollistët më të mirë të saj, dhe është ndër basketbollistët meritor për 12-shen e reprezentacionit të Kosovës”.
“Performancat e Eronitit janë vërejtur qysh nga mosha 14-vjeçare, kur është bërë pjesë jona në ushtrime, ndërsa vitin e kaluar kemi marrë pjesë në kategorinë U-16, ku ai ka qenë ndër më të mirët, duke u zgjedhur MVP e finales së Play-off-it, sikurse edhe i Kupës së Kosovës. Me punë të vazhdueshme e seriozitet, siç e kemi pa deri më tani, shpresojmë se do të ketë një të ardhme kulminante”.
“Eroniti është i veçant sa i përket natyrës së tij, pasi është shembull në të gjitha pikëpamjet. Ndërsa sa i përket qetësisë dhe maturisë, është i mrekullueshëm në plotëninë e kuptimit të fjalës. Shih për këtë, ai luan pozitën e Playmaker, rol ky i cili është që të këshilloj bashkëlojtarët që të jenë sa më të komponuar, e njëherit të mos kenë fërkime mes vete, sikurse edhe me kundërshtarët tjerë. – E, Eroniti këtë rol e luan në mënyrë të përkryer pasi natyra e tij e qetë dhe individualiteti i tij i arsyeshëm, janë karakteristika që e bëjnë të veçantë edhe për atë rol të liderit në fushë, por jo vetëm në fushë, sepse ai “lider” i tillë është edhe në përditshmëri”, përfundoi ai.
Eroniti si nxënës i Shkollës së Mesme të Lartë “Xhavit Ahmeti” – Gjilan
Eronit Rrahmani, nxënës i dashur e i dalluar i Shkollës së Mesme të Lartë “Xhavit Ahmeti” në Gjilan
E për të kuptuar më saktësisht natyrën e vërtetë të këtij sportisti të vlerësuar si shpresë e së ardhmes, gjatë vizitës në shkollën e tij ku vijon mësimet, saktësisht në klasën e X-të, befasitë s’kishin fund! Kjo pasi në mesin e shokëve e mësimdhënësve shihej qartë një vlerësim e respekt i veçantë për Eronitin, ndërsa flitej me fjalët më të zgjedhura për karakterin e tij, qoftë si nxënës fillmisht apo qoftë edhe si sportist i jashtëzakonshëm!
Profesori i Kulturës Fizike ia atribuon fjalët më zgjedhura
“Eronitin, e vlerësoj si një lule aromatike, e cila lule, nëse shprehem me gjuhën e figurave letrare stilistike, ka nevojë të ujitet për të rritur shtatin e për të lëshuar akoma më shumë nektar, pasi është djalosh që e pret një perspektivë e patjetërsueshme”, tha ai.
“është shembull tipik i një djali të ri me shumë tipare, i cili ka personalitet sportiv, është i “gëdhendur” si karakter e individualitet. Me një fjalë është i jashtëzakonshëm, andaj, mendoj që ka bërë përzgjedhjen e vet të duhur kur filloi të merret me basketboll, ku e presin doemos sukseset”, shtoi ai.
Sipas profesorit, sporti ynë e kryesisht basketbolli ka çaluar ndër vite dhe është krijuar një vakuum në mungesë të talentëve të përkatësisë sonë nacionale, e ai boshllëk është mbushur me basketbollistë të nacionaliteteve të huaja. Ndërsa Eroniti sipas tij është shembulli më i mirë se si duhet të krijojmë e formësojmë sportistët tanë kulmorë, të cilët doemos duhet t’i mbështesim dhe motivojmë.
“Gjilani ka pasur basketbollistë të jashtëzakonshëm, si Besnik Kurteshi, i cili ka motivuar gjeneratat pasuese duke insistuar tek ta që të merren aktivisht me basketboll, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, por më pas kishte një rënie të madhe të talentëve të këtij sporti në qytet. Tani e kemi Eronitin, i cili përveç që është djalë i jashtëzakonshëm është edhe basketbollist i shkëlqyeshëm”, shtoi profesori … .
“Çka më bënë mua të pres nga Eroniti? – Ai është individualitet i posaçëm me shumë bagazh, është i ndërtuar si personalitet, njëherit basketbollist shumë i disiplinuar, e njëkohësisht edhe shumë energjik. Kjo të bënë të presësh që jo vetëm në shkollë e në basketbollin e qytetit tonë, por edhe në atë kombëtar e ndërkombëtar një basketbollist si Eroniti është i rrallë. Ai një ditë do të jetë një emër i shquar dhe i admiruar”, tha në fund profesori i tij, … .
E s’ka se si të shpjegohet ndryshe, natyra subtile e Eronitit, përkushtimi për aspiratat e tij nën trapez, sikurse edhe tiparet e veçanta si personalitet që e veçojnë, e të cilat tipare vetëm sa e “vulosin” individualitetin e tij si një storie e jashtëzakonshme suksesi. Pra, ai me të drejtë pritet që një të ardhme të afërt të jetë referencë admirimi për të gjithë ata që kanë pasur fatin, por edhe në të ardhmen do të kenë rastin ta njohin edhe nga afër Eronitin, qoftë si nxënës i dashur e i dalluar në shkollë, qoftë si djalosh i ri e i preferuar në qytet apo qoftë si sportistë nën trapez – në basket! /2LONLINE/