Të martën Kosovën do të vizitojnë personat kyç të përfshirë në dialog me Serbinë, raporton Ekonomia Online. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar së bashku me të dërguarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak do të qëndrojnë për vizitë në Prishtinë.
Ndonëse ende nuk ka agjendë të takimeve, raportohet se ata do të takohen me liderët e vendit, takime këto që sipas njohësit të rrethanave politike në vend, Arbnor Sadiku, po ndodhin për një varg arsyesh.
Si arsye të parë ai përmend bindjen e Kosovës për të nënshkruar një marrëveshje para 1 shtatorit kur hyjnë në fuqi reciprociteti dhe mundësinë e shtyrjes edhe për një kohë të zbatimit të kësaj mase.
Kurse për presidentin serb Aleksandar Vuçiq, thotë se do t’i përcillet mesazh që të jetë i kujdesshëm, ta respektojë pozicionin e Serbisë në negociata.
Ai thotë se synim do të jetë që mos të cenohet siguria në veri të Kosovës, ngase do të ishte e vështirë e menaxhueshme për KFOR-in dhe Policinë.
“Kjo vizitë do të jetë për dy arsye. E para, që të tentohet për ta bindur Qeverinë e Kosovës për të arritur një marrëveshje para datës 1 shtator. Nëse nuk kemi një marrëveshje, do të kemi reciprocitet nga Kosova ndaj qytetarëve serb që hyjnë nga pjesa e Serbisë në veriun e Kosovës. Kjo mund të paraqesë një gjendje të vështirë për sigurinë në Kosovë, veçanërisht për KFOR-in dhe Policinë Speciale të Kosovës. Nën dy, nëse nuk bindet Qeveria Kurti, atëherë të tentojnë që ta bindin për një afat shtesë për shtyrje të këtij reciprociteti, qoftë për 15 apo 10 ditë pas 1 shtatorit”.
“Mesazhi edhe ndaj presidentit Vuçiq, do të jetë që ai duhet të jetë i kujdesshëm, të respektojë pozicionin e Serbisë në negociata. Ata kanë një pozicion ku do të kërkojnë të drejta maksimale për qytetarët serb qe jetojnë në Kosovë, themelimin e Asociacionit. Në të njëjtën kohë, që të respektojë marrëveshjet e para mes Kosovës dhe Serbisë, si marrëveshja për diploma, marrëveshja për kalimin e lirë të qytetarëve. Sigurisht, edhe që të arrihet një marrëveshje për të pagjeturit, marrëveshje që qojnë drejt një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”.
Ai ka folur edhe për një takim të raportuar në medie Kurti-Vuçiq të organizuar nga kancelari gjerman, Olaf Scholz.
Sipas tij, Gjermania është shtet që ka ndikim të madh mbi Kosovën dhe partinë e kryeministrit Kurti, prandaj edhe vlerëson se takimi mund të jetë produktiv, raporton EO.
“Ky takim rrjedh pas mos-marrëveshjeve të fundit që kanë pasur presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti rreth letërnjoftimeve dhe targave midis Kosovës dhe Serbisë. Gjermania është një shtet që ka ndikim të madh mbi Kosovën, veçanërisht mbi partinë e Albin Kurtit, pasi që kanë një bashkëpunim më afatgjatë me shtetin gjerman. Mendoj se do të jetë një trysni, që të arrihet një konsensus para 1 shtatorit lidhur për një marrëveshje me Serbinë lidhur me qarkullimin e lirë të qytetarëve, qoftë për targa, qoftë për letërnjoftime”.
Esobar ka qëndruar në Bruksel më 18 gusht, kur është zhvilluar dialogu mes Kurtit dhe Vuçiqit. Ai është takuar ndaras me të dy liderët dhe Lajçakun.
Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk kanë arritur marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës si dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe.