Për shumë vite sa ishte në opozitë, Albin Kurti e konsideronte Kosovën si shtet të kapur. Por, me të ardhur në pushtet, ai tani po konsideron se është duke e drejtuar vendin më demokratik në Ballkanin Perëndimor.
E pikërisht për deklaratat rreth demokratizimit të Kosovës, që i ka bërë në Këshillin Atlantik gjatë së mërkurës, Kurti ka marrë reagim të ashpër nga Ivana Stradner, përcjell Demokracia.com.
Stradner, gazetare dhe analiste e revistës amerikan “Foreign Affairs”, si dhe anëtare e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive, e ka demantuar Kurtin në këtë deklaratë.
Kurti, i cili shumëkujt mund t’i duket edhe si analist i zhvillimeve politike në botë, shumë herë është dëgjuar duke folur për Ukrainën, ku në vazhdimësi bën deklaratat e njëjta.
“NATO ndërhyri në Kosovë për shkak të gjenocidit, i cili është i dokumentuar mirë dhe për të cilin ka dëshmitarë. Në Ukrainë nuk ishte kështu… Ne jemi vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Serbia nuk është një demokraci, por një shtet autoritar dhe fakti është se autokratët mbështeten. Kjo kërcënon paqen afatgjatë në rajon. Prandaj, Kosova duhet të marrë më shumë ndihma ekonomike, anëtarësim në BE dhe NATO”, tha Kurti.
Por, kjo deklaratë e tij e ka nervozuar Stradner, e cila i ka reaguar atij në “Twitter”, duke thënë se kjo nuk është e saktë, përcjell Demokracia.com.
“Kjo nuk është e saktë. Sipas Freedom House, TË GJITHA shtetet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, nuk janë demokraci të plota dhe janë regjime hibride. Perëndimi duhet të luftojë korrupsionin, të promovojë median e lirë dhe gjyqësorin pa ndërhyrje ekzekutive”, ka shkruar ajo.
Mes tjerash, Stradner e ka bërë publik edhe raportin e fundit të Freedom House, duke u bërë thirrje ndjekësve të saj në Twitter që ta lexojnë.
Sa i përket Kurtit, vlen të theksohet se ky i fundit tash e dy javë po qëndron në SHBA, ku ka zhvilluar disa takime të parëndësishme. Si takim zyrtar, Kurti e kishte një te shkallët me këshilltarin e Sigurisë, Jake Sullivan, përcjell Demokracia.com.
Në këtë vizitë, e cila pritet të zgjasë tre javë, Kurti ka takuar edhe disa biznesmenë, me të cilët, siç edhe tha bashkëpartiaku i tij, Armend Muaj “e ka pasur ëndërr të takohet”.