Juventusi u ndal në një barazim 2-2 përballë Atalantës së Etrit Berishës. Kjo ishte ndalesa e parë në kampionat për torinezët, kampionë të Italisë. Një nga protagonistët ishte shqiptari që fillimisht gaboi në shënimin e golit të parë nga Bernardeschi. Në golin e dytë të Juves nuk kishte shumë faj, ndonëse u pa paksa i përgjumur. Gjithsesi ai u mbylli gojën kritikëve duke pritur një penallti të Dybala në mintën e 85-të.
“Eurosport” i jep Berishës notën e lartë 7,5. “Realizon të paktën 4 pritje të mëdha. I mrekullueshëm në dy pritje të Khedira në pjesën e dytë. I sigurt edhe te ndërhyrjet ndaj Higuain dhe Dybala. Deciziv dhe reaktiv” – janë fjalët për shqiptarin.
Nuk mungojnë edhe kritikat. “CalcioMercatoweb” i jep notën 6,5. “E shtyn topin te këmbët e Bernardeschi që niuk i mbetet tjetër veçse ta falenderojë dhe të shënojë gol. Ka bërë shumë në Europë dhe ndoshta ndien lodhje fizike dhe mendore. Në fund pret një penallti dhe shpëton nga kritikat”.
“Fantamagazine” e vlerëson gjithashtu me 6.5 duke shkruar: “Gabim i shëmtuar në golin e avantazhit nga Bernardeschi. Duhet ta falim pasi i pret penalltinë decizive të Dybalas në fund të takimit”.