EUKOJUST ndihmoi digjitalizimin, Haxhiu: Projekti mund të nxisë qasje më të përqendruar të qytetari

Prishtinë | 19 Qer 2024 | 18:15 | Nga Natyra Salihaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Programi i Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë – EUKOJUST ndihmoi në rritjen e efikasitetit, transparencës dhe efikasitetit të drejtësisë ne Kosovë, u tha në konferencën përmbyllëse të këtij programi.

Ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, tha se EUKOJUST ka krijuar të gjitha dokumentet për një sistem digjitalizimi në sistemin gjyqësor në Kosovë.  

“Projekti i ka ndihmuar sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit. Mendoj së Kroacia mund të jetë një shembull i mirë për Kosovën, sepse ne jemi anëtari me i ri në BE dhe ne me Kosovën kemi ndarë sistemin e njëjtë të gjyqësorit dhe i dimë sfidat dhe mund t’ju tregojmë si të shmangni gabimet që i kishim bërë ne. Duke qenë shteti më i ri i BE-së, ne kemi mbledhur njohuritë e 27 shteteve dhe i shfrytëzuam dhe tani është në duart tona t’iu ndihmojmë shteteve të tjera”.

“Mos harroni se Kroacia ishte e para që kishte përpiluar plan veprimi… Procesi i digjitalizimit nuk do t’i zgjidh problemet, por rrit efikasitetin e zgjidhjes së problemeve”, theksoi Barisic.

Ndërkohë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, theksoi rëndësinë që ka digjitalizimi për dikasterin që ajo drejton.

“MD-ja e ka njohur rëndësinë e digjitalizimit që janë nën ombrellën e MD-së. Rekomandimet dhe veprimet që dalin nga ky dokument do përfshihen në planin e rishikuar që është pjesë e digjitalizimit për periudhën 2024-2028. Besojmë se do jetë një udhërrëfyes i mirë, pasi ky projekt mund të nxisë një qasje më të përqendruar të qytetari. Pas këtij procesi, gjithçka do jetë më ndryshe. Ne e kemi parë rëndësinë e digjitalizimit që lidhet me qytetarinë”, u shpreh Haxhiu.

Ardian Hajdaraj, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, theksoi se digjitalizimi i punës është prioritet i KPK-së.

“Ne udhëzuam kryeprokurët për qasjen e tyre në përdorimin e të dhënave të SMIL, duke vlerësuar performancën. KPK-ja ka përdorur të dhënat e SMIL për të hartuar planin, lansoi portalin e ri duke i mundësuar secilës prokurori qasje. Digjitalizimi i punës është qëllim i KPK-së”, deklaroi Hajdaraj.

Ndërsa, Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, vlerësoi se programi EUKOJUST erdhi në kohën e duhur, kur KGJK-ja u përballë me mungesë të efikasitetit për shkak të pandemisë.

“Është vështirë më e përshkru listën e aktiviteteve që ne kemi pasue me EUKOJUST. Ky projekt erdhi në kohën pas pandemisë ku KGJK u përballë me mungesë efikasiteti në shërbim të qytetarit dhe rritjes së transparencës së qytetarit, nga një dosje manuale nga ajo digjitale. Ka pasur një kontribut të jashtëzakonshëm në rritjen e kualitetit të dhënave në matjen e përformancës së gjyqtarëve, gjykatave, përformancën. Kemi pasur mbështetje me 26 konsulentë nga EUKOJUST. Procesi ka qenë kompleks, ndihma direkte e EUKOJUST ka qenë direkte, duke bërë që shërbimi të jetë më efikas dhe i besueshëm. Është dimension i rëndësishëm që kishim me EUKOJUST, pa e mohuar koordinimin me institucionet”, tha Zogaj.

Ekspert i EUKOJUST, Arben Isufi, tha se kanë ofruar ekspertizë prej fazës fillestare.

“Projekti është zgjeruar në kuptimin e zbatimit të projekteve të reja të TIK-ut. Do të ndihmojë KPK-në në reforma, zhvillim profesional të gjyqtarëve. Po ashtu, menaxhimi elektronik i financave do të ndihmojë KGJK-në të rrisë transparencën dhe llogaridhënien”, theksoi ai.

Kurse, Cristian Nicoara, tha se e kanë ndihmuar KPK-në që t’i identifikojë të dhënat.

“Qasja jonë drejt KPK-së është për të ndihmuar që të identifikojnë të dhënat qe kanë pas në vendimmarrje ka ndodh që në fillim të zbatimit të projektit, ishim në pozitë të mirë për t’i ofruar Këshillit për zbatimin e planit. Këshilli është në proces të krijimit zë një plani strategjik, të krijohen kapacitete brenda këshillit në mënyrë që vetë t’i hartojnë. Një plan i ri do krijohet edhe me ndihmën apo pa ndihmën e jashtme, këto kapacitete ekzistojnë brenda Këshillit dhe do zbatohen”, u shpreh ai.

Të ngjashme