EULEX-i ka hequr dorë nga gjykimi i Ukë Rugovës, ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe 18 të tjerëve, të akuzuar për krim të organizuar.
Këto ditë lënda u është dorëzuar gjyqtarëve vendorë. Bazuar në vendimin që e ka siguruar “Koha Ditore”, pas rivlerësimit të ngarkesës së punës së gjyqtarëve, EULEX-i ka vlerësuar se nuk kanë më kapacitet për të gjykuar edhe më tutje këtë rast penal, shkruan sot “Koha Ditore”.
Për pasojë, pas dy vjetësh i tërë procesi gjyqësor në skandalin me viza italiane do të kthehet në pikën fillestare.
Gjykata Themelore e Prishtinës, siç është informuar gazeta, tanimë ka caktuar një gjyqtar vendor për t’i gjykuar Rugovën dhe të tjerët.
Ndërkaq, avokatët mbrojtës të të akuzuarve kanë thënë se nuk kanë kurrfarë informate për tërheqjen e EULEX-it dhe se nuk mund ta komentojnë këtë vendim.