Misioni i EULEX-it ka bëre prezantimin e Raportit të dytë publik të Monitorimit Sistemik dhe Tematik në Drejtësi me gjetje dhe rekomandime për përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Shefi i Misionit EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark, tha se kanë identifikuar 37 raste kur të akuzuarit për raste të caktuara kanë qëndruar në paraburgim nga dy deri në 12 vjet.
Sipas tij, kjo është mënyrë jo efketive e zgjedhjes së rasteve dhe se shumë gjykime janë të fjetura dhe të dyshuarit vazhdojnë të jenë në paraburgim.
“Misioni ka identifikuar 37 raste ku të dyshuarit vazhdojnë të jenë të paraburgosur prej 2 deri në 12 vjet ku janë mbajtur kjo është pasojë shumë rigjykimeve që po ndodh dhe është theksuar edhe në raportin e kaluar. Mënyrën joefektive se si rastet procedurën shumë gjykime janë të fjetura dhe të dyshuarit vazhdojnë të jenë në paraburgim”.
“Në këtë raport ka pak referenca ka pak pandemia ka vazhduar të ndikoj në aspekte të ndryshme të sundimit të ligjit ngritja e lehtë e seancave jo produktive për shkak të pandemisë. Ekziston një pjesë përkatëse qasje në drejtësi nga viktimat e dhunës ende ka mungesë të të dhënave të besueshme për rastet e dhunës në familje gjatë pandemisë”, tha ai.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se kanë miratuar strategjinë për sundimin e ligjit, ky element kyc mbetet luftimi i krimit e korrupsionit.
Ajo tha se mbetet e pakënqur me punën e institucioneve sa i përket adresimit të rasteve të dhunës në familje, ku janë raportuar mbi 2 mijë raste, raporton EO.
Sipas saj, se ka prokurorë e gjyqtarë që ndikohen nga jashtë.
“Në korrik të këtij viti, Qeveria ka miratuar strategjinë për sundimin e ligjit, dhe për të cilën kanë dhënë një kontribut shoqëria civile dhe eksperte të ndryshëm, ku elemente kyçe janë luftimi i krimit, dhe do të ndihmojë në zbatimin e MSA. Përveç kësaj jemi duke punuar në adresimin e krimit të luftës. Poashtu kemi shtuar kapacitete në Prokurorinë Speciale, ku do të dokumentohen të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë. Prioritet i jonë është adresimi i dhunës në familje, i dhunës ndaj grave, prandaj që nga momenti kur kam marrë detyrën kemi zgjedhur drejtorin për adresimin e dhunës ndaj grave”.
“Ndonëse nuk jam e kënaqur me angazhimin institucional, sepse për të adresuar një fenomen të rrezikshëm, duhet angazhim maksimal, ku vetëm këtë vit kemi pasur mbi 2 mijë raste, dhe duhet t’i adresojmë rastet e dhunës në familje me bazë gjinore”, tha Haxhiu.
“… individë brenda sistemit ende ndikohen nga jashtë, nuk po flas për krejt gjyqtarët, krejt prokuroret apo policët. Ajo që MD po bënë në avancimin e ligjit, ka të bëjë me ndryshimet në këshillin prokurorial. E kemi edhe një opinion të Komisionit të Venecias, që na kërkura uljen e numrit të prokurorëve nga 11 në 7”, tha ajo.
Hubet van Eck Koster, shef i Njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve, u ka bërë thirrje institucioneve që periudha e paraburgimit të jetë sipas standardeve.
Sipas tij, nga 380 seanca të monitoruara, 113 seanca kanë qenë joproduktive e që përbën 30 për qind të tyre, raporton EO.
“Raporti ka identifikuar 37 raste të personave të cilët janë paraburgosur, duke filluar nga dy deri në 12 vite pa një aktgjykim përfundimtar, e që është një periudhën vërtetë shumë e gjatë. Kjo është pasojë e shumë prej gjykimeve që i kemi përmendur edhe në raportet paraprake. Në bazë të Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut, paraburgimi nuk duhet të tejkalojë një periudhë të caktuar kohore, prandaj ne u bëjmë thirrje autoriteteve që zbatimi i paraburgimit duhet t’i plotësojë të gjitha standardet e ndjeshmërisë, domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit”.
“Një temë tjetër sistematike që e analizon Misioni, janë të ashtuquajtura seanca joproduktive, ku janë seanca që shtyjnë pa bërë ndonjë përparim në gjykim e që kanë efekt negativ në sistemin gjyqësor, e që është barrë shtesë në gjyqësor. Nga 380 seanca të monitoruara, 113 seanca kanë qenë joproduktive e që përbën 30 për qind”.
Alban Zogaj kryesues i KGJK-së, tha se mendime të njejta ndajnë me këtë raport, që ka të bëjë me çështjen e paraburgimit të gjatë.
Veton Shabani zëvendëskryesues i KPK-së, tha se prokurorët që shkaktojnë vonesa të panevojshme duhet të marrin përgjegjësi dhe duhet të hetohen, raporton EO.
“Zotohemi në emër të sistemit prokurorial se të gjeturat në këtë raport që kanë të bëjnë me KPK, do të adresohen nga Këshilli Prokurorial i Kosovës tek te secila njësi kompetente brenda sistemit. Një pjesë e këtyre rekomandimeve të dala nga ky raport, kanë një progres të madh, që sistemi prokurorial e që është duke punuar në to”.
“Vonesat e panevojshme, prokurorëve që shkaktojnë vonesa të panevojshme, natyrisht që do te mbahen përgjegjës, poashtu produktiviteti nëpër seanca gjyqësore nga ana e këshillit, kontrollohet përmes mekanizmave të tij të performancës dhe disiplinës. Përmes hyrjes së rregullores së re për performancën ka filluar monitorimi i prokurorëve nga ana e njësitit për vlerësim të performancës nëpër seanca gjyqësore”, tha ai.