Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, iu ka shprehur edhe një herë ngushëllime familjes dhe miqve të Astrit Deharit, i cili vdiq derisa ishte në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Sipas EULEX-it, vdekja e një të riu në këto rrethana është me të vërtetë një tragjedi. Por ky mision vlerëson se institucionet kosovare i kanë kryer hetimet për zbardhjen e këtij rasti në mënyrë të duhur.
“Si pjesë e mandatit të tij, EULEX-i e monitoroi këtë rast dhe beson se hetimet dhe autopsia janë kryer në mënyrë të saktë, profesionale dhe me kujdes, në pajtim me praktikat më të mira evropiane dhe duke i hetuar të gjitha pistat e mundshme. Tri agjencitë përkatëse që kanë qenë të përfshira vazhdojnë t’i përmbushin obligimet ashtu siç pritet nga to. Nga rastet si ky gjithmonë nxirren mësime, ndërsa elementi më i rëndësishëm drejt përmirësimit është vënia në jetë e këtyre mësimeve”, thuhet në komunikatë.
Ndonëse rrethanat janë të jashtëzakonshme, EULEX-i konsideron se institucionet e Kosovës kanë zbuluar se Astriti ka qenë i vetëm në qeli në kohën kur ka ndodhur rasti.
“Këtë e konfirmojnë incizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm. EULEX-i i mbështet të gjeturat dhe konstatimin logjik të nxjerrë prej fakteve dhe provave të gjetura gjatë hetimeve dhe autopsisë”, thuhet më tej në komunikatë.
Megjithatë, sipas EULEX-it, gjithçka që lidhet me vdekjen e Astrit Deharit duhet të shërbejë për të rikujtuar se megjithëse Shërbimi Korrektues i Kosovës është duke u përpjekur që të bëjë përmirësime, duhet të bëhet edhe më shumë në të ardhmen për t’i parandaluar incidentet si ky dhe humbje të jetëve tjera.
“Menjëherë pas këtij incidenti, Ministrja e Drejtësisë e angazhoi EULEX-in për ofrimin e mbështetjes në lidhje me mësimet e nxjerra dhe për përfshirjen e atyre mësimeve në agjendën aktuale të reformave më të gjera në shërbimin korrektues. Ministrja Hoxha kërkoi prej agjencive që t’i paraqesin të gjeturat e tyre, gjë që ato edhe e kanë bërë.
EULEX-i e përshëndet theksin e veçantë dhe përmirësimet e iniciuara nga Ministrja e Drejtësisë me qëllim të ngritjes së llogaridhënies dhe transparencës në kuadër të sistemit të sundimit të ligjit. EULEX-i është i gatshëm që ta ndihmojë Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet tjera të sundimit të ligjit që të ecin tutje në këtë drejtim”, përfundohet në komunikatën e EULEX-it dërguar medieve.