EULEX-i nuk i ka dorëzuar pajisjet Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, të cilat i kishte marrë gjatë një bastisje në zyrat e kësaj organizate më 25.09.2020, edhe pse ishin ftuar që ti marrin të mërkurën, raporton Ekonomia Online.
Tomë Gashi i cili ishte autorizuar që t’i marrë këto pajisje nga OVL e UÇK-së, tha njëri nga oficerët e EULEX-it në Fushë- Kosovë i ka thënë se nuk janë të përgatitur që sot t’ua dorëzojnë këto pajisje.
Por, Gashi thotë se arsyeja e mosdhënies së këtyre pajisjeve është kërkesa e tyre që të njoftohen se çfarë kanë gjetur në to.
“Ne kemi marrë njoftim para dy ditëve për marrjen e tyre pajisjeve. Unë me autorizim të OVL të UÇK-së kam ardhur, por sot zyrtarët e EULEX-it nuk na i dhënë, dhe besoj që kjo ka ndodh për shkak të një fjalës tonë, ku kemi kërkuar të na tregohet se çfarë kanë gjetur në ato pajisje të konfiskuara gjatë bastisjes më 25.09.2020”.
“Ne kërkuam që të na jepnin një raport që të tregonin se çfarë kanë gjetur në ato pajisje që janë marrë dhe janë konfiskuar më 25 shtator të vitit të kaluar, kur fatkeqësisht pa kurrëfar arsye është arrestuar z. Nasim Haradinaj dhe z. Hysni Gucati”. tha Gashi.
Ai tha se arsyetimi zyrtarë i njërit nga oficerët përgjegjës të EULEX-it për mosdhënien e pajisjeve ka qenë se nuk janë gati për sot, dhe se gjatë javës do të njoftohen se kur mund t’i marrin.
“Mosdhënia e pajisjeve është e çuditshme pasi vetë na kanë thirrur për t’i marrë, por ne kemi pyetur se çfarë kanë gjetur në këto dokumente. Tani nuk janë të përgatitur që të na e kthejnë pajisjet. Në formë të shkruar do të na njoftojnë pas disa ditëve, por që nuk është dhënë ndonjë kohë”, tha Gashi.
Më 25.09.2020, me urdhër të Gjykatës Speciale, policia e EULEX-it kishte kryer bastisje në zyret e OVL të UÇK-së, ku edhe ishin arrestuar dy nga udhëheqësit e kësaj organizate, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati.