Eurocontrol: Trafiku ajror i Evropës mund të mos i kthehet normalitetit deri në vitin 2029

Prishtinë | 23 Maj 2021 | 12:43 | Nga Ekonomia Online

Trafiku ajror në Evropë mund të mos kthehet në nivelet që ishte para-COVID-19, deri në vitin 2029, ka thënë Organizata për Sigurinë e Kontrollit Ajror, Eurocontrol.

Në një raport të botuar gjatë ditës së premte, agjencia e menaxhimit të trafikut ajror me qendër në Bruksel është shprehur se numri i fluturimeve në hapësirën ajrore evropiane midis janarit dhe prillit të këtij viti, ishte më i ulët 65 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, shkruan Euronews, transmeton Klan Kosova.

Në varësi të shtrirjes së vaksinave COVID-19  dhe efektshmërisë së tyre kundër varianteve të reja të virusit, kjo organizatë parashikoi tri modele të ndryshme për të ardhmen e udhëtimeve ajrore evropiane.

Nëse vaksinimi do të jetë i ngadalshëm në Evropë dhe në të gjithë botën, kjo do të pengojë fluturimet, besimin e pasagjerëve si dhe mund të vonojë një rikthim të normalitetit deri afër fundit të dekadës.

Drejtori i Përgjithshëm, Eamonn Brennan ka thënë se “situata mbetet shumë sfiduese për aviacionin evropian”.

“Ne po shkojmë drejt verës 2021 dhe shumica e kufizimeve janë ende në fuqi, me gjithë përparimin inkurajues në frontin e vaksinimit”.

“Ne ndoshta do të kemi rreth 50 për qind të trafikut të vitit 2019 për të gjithë sezonin 2021 (5.5 milionë fluturime)”.

“Deri në fund të vitit të ardhshëm, trafiku do të rikuperohet vetëm me  72 për qind të niveleve të vitit  2019 dhe do të rikthehet ashtu siç ishte para pandemisë vetëm deri në vitin 2025 ”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme