Eurodeputeti holandez: Marrëveshja për vizat nuk lidhet me dialogun, duhet të hyjë në fuqi me 1 janar

Prishtinë | 19 Tet 2023 | 09:54 | Nga Ekonomia Online

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka shpalosur detaje lidhur me përmbajtjen e rezolutës për të cilën këtë të enjte do të votohet pro ose kundër në Parlamentin Evropian.

E njëjta është sipas Reuten është titulluar “Normalizimi Kosovë-Serbi”.

Ai thotë se paragrafi i 26-të i rezolutës ka të bëjë me çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Eurodeputeti holandez thekson se marrëveshja për vizat nuk është dhe s’do të lidhet me procesin e dialogut dhe se e njëjta duhet të hyjë në fuqi më një janar të vitit 2024.

“Paragrafi i rezolutës ‘Normalizimi Serbi-Kosovë’, që do të votohet nga PE: 26. Rikujton se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi më së voni më 1 janar”, shkruan Reuten.

Ndryshe, Ambasada e Francës në Kosovë ka sqaruar deklaratën e presidentit francez, Emmanuel Macron, në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në një përgjigje për Dukagjinin, thuhet se Macron e ka vënë theksin te pritshmëritë nga palët të jenë përgjegjëse për veprimet e tyre.

Po ashtu, nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është kërkuar t’i dënojë sulmet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Gjatë konferencës për medie me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, theksoi nevojën që të dyja palët të dëshmojnë një frymë përgjegjësie. Ai nënvizoi qartë pritshmëritë e tij nga presidenti serb, Vuçiq : të dënojë me vendosmërinë më të madhe aktet e 24 shtatorit dhe të ndihmojë në rivendosjen e qetësisë në kufi”, thuhet në përgjigje.

Të ngjashme