Eurodeputeti kroat: Serbia po i shpërblen shtetasit e vendeve që nuk e njohin Kosovën

Prishtinë | 19 Tet 2022 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Parlamentit Evropian, kroati Karlo Ressler kritikoi ashpër Serbinë për regjimin e vizave në seancën plenare në Strasburg, i cili po shkakton një rritje dramatike të migrantëve të paligjshëm në të ashtuquajturën rrugë ballkanike nga vendet nga të cilat nuk kishte më parë, si Burundi, India dhe Kuba.

Lufta në Ukrainë shkaktoi lëvizjen më të madhe të personave të zhvendosur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në një kohë pasigurie të thellë për të gjithë kontinentin, po dëshmohet gjithashtu një rritje dramatike e kalimeve të paligjshme kufitare në të ashtuquajturën Rruga e Ballkanit Perëndimor – me mbi njëqind mijë emigrantë të paligjshëm këtë vit.

Siç raporton mediumi kroat “Direktno”, njëzet mijë kalime të paligjshme janë regjistruar vetëm në muajin shtator, që është dy herë më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Eurodeputeti Ressler mori pjesë në debatin plenar të Parlamentit Evropian në lidhje me ndikimin e pushtimit ushtarak rus të Ukrainës në flukset migratore drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se situata është e keqe dhe rrezikon të bëhet jashtëzakonisht malinje, kryesisht për shkak të veprimeve të Serbisë.

“Me keqpërdorimin e paskrupullt të regjimit të vizave, Serbia shpërblen shtetet që nuk e njohin Kosovën dhe në këtë mënyrë u mundëson migrantëve nga vendet nga të cilat nuk ka pasur fluks të konsiderueshëm migrimi të shfaqen në kufijtë evropianë posa të bie terri. Krijimi i presionit migrator në kufijtë kombëtarë dhe evropianë hap edhe një herë një çështje themelore – çështjen e orientimit civilizues të Serbisë. Në këtë krizë e cila po zbulohet, ajo [Serbia / shën.red] duket më pak evropiane”, tha Ressler në një fjalim në seancën plenare.

“Nëse vazhdohet kështu, çmimin më të madh për këtë politikë të pasinqertë dhe anti-evropiane të qeverisë do ta paguajnë fatkeqësisht qytetarët e Serbisë. Në Evropë nuk mund të mbyllet syri ndaj asnjë forme të rolit të shtetit në krijimin artificial të migracionit. Sidomos kur bëhet fjalë për një regjim që edhe sot e gjen modelin e tij në Rusi dhe te marrëdhëniet e privilegjuara politike dhe energjetike me Moskën”, përfundoi përfaqësuesi kroat i Parlamentit Evropian, Karlo Ressler.

Ditë më parë, komisionarja për Punë të Brendshme e bllokut evropian, Ylva Johanson, tha se nuk përjashtohet mundësia që Bashkimi Evropian të pezullojë liberalizimin e vizave për Serbinë.

Të ngjashme