Serbia po hyn në një proces paszgjedhor në të cilin do të formohet një degë e re legjislative dhe ekzekutive e qeverisë. Zyrtarët e BE-së presin që një nga detyrat kryesore të Qeverisë së re të Serbisë të jetë normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.
Vladimir Bilçik, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, thotë se Qeveria e re e Serbisë përballet me tri detyra kryesore, e njëra prej tyre është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Përparimi në cilindo prej tyre – e çon në thelb Serbinë më afër anëtarësimit në BE. Përparimi në gjithçka – siguron që Serbia të jetë në BE”, vlerëson Bilçik.
Bilçik pranon se, pavarësisht tensioneve, deri më tani është bërë shumë punë konstruktive, por se detyra e parë kyçe para Serbisë është “një angazhim i sinqertë për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”.
“Shpresoj se qeveria e ardhshme do të bëjë vërtet përparim në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve, që përfshin zgjidhjen e çështjeve të hapura, që i referohet edhe sulmit në Banjskë në shtator. Kjo çështje nuk do të zhduket”, tha Bilçik.