“Eurovision 2019” ka filluar përgatitjet, dhe po bëhet gati për të dhuruar tri netë spektakolare në maj.
Nikoqir i këtij festivali këtë vit është shteti i Izraelit, i cili do të mirëpres në Tel Aviv të gjitha shtetet me këngët pjesëmarrëse.
Mediat në Izrael kanë raportuar se transmetuesi kombëtar izraelit KAN, është në bisedime me një nga këngëtaret më të mëdha botërore, për ta ftuar si performuese në natën finale të “Eurovisionit”, më 18 maj.
Bëhet fjalë për yllin e famshëm, Madonna, e cila thuhet se ka shqyrtuar një kërkesë të tillë, mirëpo kushtet financiare e vështirësojnë një gjë të tillë.
Ndërkohë përveç saj, emra të tjerë potencialë që janë përmendur se mund të vijnë janë edhe Elton John e Coldplay.
Ndërkohë, negociatat mes KAN dhe Madonnës po vazhdojnë, teksa problemi i vetëm qëndron te shuma e madhe që 61-vjeçarja ka kërkuar për të interpretuar në festivalin që ndiqet nga 200 milionë njerëz anë e mbanë botës.
Jo pak herë, “Eurovisioni” ka arrritur që të sjellë emra të mëdhenj për të performuar në finalen e tij, duke kujtuar kështu vitin 2016, kur në Stokholm të Suedisë performoi këngëtari me famë botërore, Justin Timberlake.
Përndryshe, Shqipëria këtë vit në “Eurovision” përfaqësohet nga artistja Jonida Maliqi me këngën “Ktheju tokës”.