Evertoni duhet të luajë ndeshje të përkryer për të mposhtur Liverpoolin të dielën në derbin në “Goodison Park”. Kështu ka thënë trajneri i Evertonit, Carlo Ancelotti të premten. Sipas tij, pa shikues në stadiume, nuk ekziston përparësia e terrenit vendas.
Liderit të Premier Leagues, Liverpoolit, i duhen gjashtë pikë për të siguruar titullin e parë në 30 vjetët e fundit. Liverpooli është kundërshtar i frikshëm për Evertonin, të cilën skuadër e ka mposhtur dy herë këtë edicion.
Derbit në mes të Evertonit e Liverpoolit gjithnjë janë pasionantë. Tifozët bëjnë atmosferë të jashtëzakonshme, por këtë herë do të mungojnë.
“Jam i lumtur që ndeshja është në ‘Goodison Park’, por nuk jam i lumtur që duhet të luajmë pa tifozë”, ka thënë Ancelotti.
“Fakti që luajmë në shtëpi pa tifozë është disavantazh për ne. Do të jetë disavantazh edhe për Liverpoolin, kjo është e sigurt. Askush nuk e di se si lojtarët do të reagojnë pa shikues. Do të shohim”, ka shtuar eksperti italian.
“Të gjithë në futboll thonë se tifozët janë lojtarit i 12-të dhe ne e dimë se si tifozët tanë na kanë përkrahur gjatë ndeshjeve si vendas. Por ne duhet të respektojmë rregullat, procedurat. Mendoj se është procedurë e duhur”.
Evertoni do të jetë pa Yerry Minan dhe Fabian Delphin të lënduar. Për kohë të gjatë mungojnë Jean-Philippe Gbamin dhe Theo Walcott. Mesfushori Andre Gomes, që i ishte nënshtruar një operimi në nëntor, është në dispozicion.
“Gomes është vërtetë i rëndësishëm për ne. Ai është kthyer para bllokimit, i është dashur kohë për të performuar si duhet. Por tani është i gatshëm, në gjendje të mirë dhe ndihet mirë në fushë”.