Liderët evropianë kanë kritikuar vendimin e Turqisë për t’u tërhequr nga pakti ndërkombëtar që ka për synim mbrojtjen e grave nga dhuna dhe i kanë bërë thirrje presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, që ta rishqyrtojë vendimin.
Qeveria e Erdoganit të shtunën është tërhequr nga Konventa e Stambollit, që ishte firmosur në vitin 2011. Turqia ka thënë se ligjet vendore, e jo rregullimet e jashtme, do të mbrojnë të drejtat e grave.
Marrëveshja e Këshillit të Evropës ka synim të parandalohet, ndiqet penalisht dhe eliminohet dhuna në familje dhe të promovohet barazia.
Vrasja e grave është rritur në Turqi në vitet e fundit dhe mijëra gra kanë protestuar të shtunën kundër lëvizjes së Qeverisë për t’u tërhequr nga Konventa e Stambollit.
Gjermania, Franca dhe Bashkimi Evropianë janë përgjigjur me tronditje nga vendimi.
“Shprehim moskuptim ndaj vendimit të Qeverisë së Turqisë”, ka thënë shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell.