Mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e Kuvendit të Kosovës është kritikuar ashpër nga Evropa.
Kuvendi të enjten e 11 qershorit dështoi të miratonte një sërë marrëveshjesh financiare që Qeveria kishte nënshkruar me mekanizmat ndërkombëtarë. Seanca e djeshme e Kuvendit u mbyll pa u votuar fare marrëveshjet për shkak të mungesës së konsensusit.
Pas këtij dështimi, të premten, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt ka kritikuar Kuvendin e Kosovës. Ai ka shpërndarë një reagim të shefes së zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila e quajti zhgënjim mosratifikimin. Por, sipas Heldtit, fjala zhgënjim është shumë diplomatike në këtë rast.
“E zhgënjyer me dështimin e Parlamentit për të ratifikuar disa marrëveshje ndërkombëtare përfshirë pjesëmarrjen e Kosovës në programet e Bashkimit Evropian për fiskalizim dhe dogana 2020, duke privuar taksat dhe doganat e Kosovës nga modernizimi i punës dhe shkëmbimi i njohurive me kolegët nga BE-ja dhe më tej”, kishte shkruar Apostolova, ndërsa Heldti ka qenë më i ashpër. “Fjala zhgënjim është shumë diplomatike! A do të shohim këtë parlament të punojë së shpejti? Kjo është për pakot ndihmëse për vendin dhe njerëzit e vet”, ka shkruar ai në Twitter.
Marrëveshjet që ishin paraparë të votoheshin në Kuvend të enjten ishin:
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar,
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan,
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”,
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”,