Udhëheqësit evropianë kërcënuan të hënën se mund ta kufizojnë trafikun ajror ndërkombëtar mbi Bjellorusinë, mundësisht edhe transportin e saj tokësor, pasi një aeroplan pasagjerësh i kompanisë Ryanair u detyrua të ulej në Minsk, një incident të denoncuar nga vendet perëndimore si “pirateri e shtetit”.
“Kjo është në mënyrë efektive pirateri e aviacionit, e sponsorizuar nga shteti”, tha ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Coveney, duke përdorur një gjuhë që bëri jehonë edhe në një numër vendesh të tjera. Ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde tha: “Është e rrezikshme, e pamatur dhe natyrshëm BE-ja do të veprojë”.
Presidenca franceze tha se një kërkesë i ishte dërguar Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil për të pezulluar fluturimet ndërkombëtare mbi hapësirën ajrore bjelloruse. Ndalimi i transportuesit shtetëror Bjellorusi, Belavia nga aeroportet evropiane do të diskutohet gjithashtu, si dhe masa tjera të paspecifikuara lidhur me lidhjet e transportit tokësor.
Një kompani ajrore letoneze, airBaltic, njoftoi se nuk do ta përdorë më hapësirën ajrore bjelloruse dhe Avia Solutions e regjistruar në Qipro tha se linjat ajrore të saj me bazë në Lituani do të bënin të njëjtën.
Ministri i transportit i Lituanisë, Marius Skuodis, tha se “LOT” e Polonisë dhe linja ajrore hungareze “Wizzair” do të ndjekin shembullin e njëjtë, ndërsa njoftoi se të gjitha fluturimet në dhe nga aeroportet lituaneze duhet që nga mesnata të shmangin hapësirën ajrore bjelloruse.
Akoma, opsionet për hakmarrje perëndimore duken të kufizuara.