Evropiani “eksperimental” i rrethuar me të panjohura dhe probleme politike

Prishtinë | 18 Tet 2019 | 09:19 | Nga Ekonomia Online

“Dardanët” shpresojnë shumë që Kosova do të jetë pjesë e shortit që do të tërhiqet më 30 nëntor në Bukuresht të Rumanisë. Atë ditë do të caktohen grupet e kampionatit evropian të futbollit që mbahet vitin tjetër në 12 shtete.

Me shumë mundësi do të jetë prej shorteve më të komplikuara deri më tash. Me Kosovën pjesë të Evropianit, shorti do të ishte edhe më dramatik, për shkak të raporteve që ka me vende tjera evropiane. Në të vërtetë raportet politike mes vendeve do të komplikojnë goxha shumë shortin për “Euro 2020”.

Por ka edhe çështje teknike në atë proces. Për shembull 12 vendet nikoqire të Evropianit duhet të luajnë ndeshjet si vendas në shtëpi të tyre. Po ashtu shorti do të tërhiqet kur katër përfaqësuese pjesëmarrëse të mos jenë caktuar ende dhe është lënë e hapur mundësia për short shtesë. Dhe më pas vjen çështja politike që e komplikon tej mase shortin, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe vetë formati si i tillë, me 12 shtete organizatore, është quajtur eksperimental dhe një gjë e tillë më nuk pritet të ndodhë. Më 2024, Evropiani do të mbahet vetëm në Gjermani.

Gazeta gjermane “Suddeutsche Zeitung” ka thënë se kur të tërhiqet shorti për evropian, në sallë pos trajnerëve dhe drejtuesve të federatave duhet të jenë edhe disa profesorë të matematikës së aplikuar, për shkak të shortit të komplikuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme