Ngjarjet si botërorët e evropianët vlerësohen mundësi të mëdha për futbollistët për të siguruar kalim në ndonjë skuadër të fortë evropiane.
Si kampionatet botërore ashtu edhe ato evropiane, për shumë futbollistë ishin pikë kthese shumë pozitive në karrierë. Por ka edhe raste kur kampionatet kryesore janë bërë pikë kthese negative në karrierat e lojtarëve, shkruan sot Koha Ditore.
Për lojtarët shqiptarë janë evropianët që janë shndërruar në “moment të keq” për karrierë, ndonëse pa ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me karrierën e tyre. Janë disa lojtarë që kanë përjetuar vetëm rënie pasi janë paraqitur në evropian, apo të paktën nuk e kishin ecurinë që e kishin para se të shijonin evropianët.
I fundit prej tyre është sulmuesi Shani Tarashaj. Tarashaj po lufton maksimalisht për të gjetur rrugën e duhur në karrierë, rrugë prej së cilës disi u shmang pasi u paraqit për Zvicrën në “Euro 2016”.
Pak sekonda lavdi për Tarashajn
Evropiani i mbajtur në Francë është pritur të jetë vetëm një “shtytës” në karrierën e Tarashajt, tani 23-vjeçar. Ai kishte rol fare të vogël në Evropian. Luajti vetëm në ndeshjen e fazës së grupeve ndaj Rumanisë, ndërsa u aktivizua në minutën e 91-të. Ajo mbetet ndeshja e fundit e Tarashajt me Zvicrën. Pas evropianit ishte ftuar për një ndeshje ndaj Andorrës, në tetor të atij viti, por nuk u aktivizua.