Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Sam Fabrici, ka bërë thirrje për shfuqizimin e taksës doganore prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vendosur për mallrat e Serbisë.
Në një intervistë për “N1”, Fabrici po ashtu ka thënë se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë.
Sipas tij, pozita e Ballkanit Perëndimor është në listën e prioritete të Bashkimit Evropian.
“Unë mendoj se BE po i kushton një vëmendje të madhe Ballkanit Perëndimor, shpresojmë që ky rajon të afrohet me BE dhe mendoj se kemi diçka për të treguar si progres dhe jemi të lumtur për këtë gjë”, ka thënë Fabrici në këtë intervistë.
Sipas tij, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë është tejet i rëndësishëm dhe se një gjë të tillë e ka thënë dje edhe vet Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Sipas Fabricit, Mogherini ka thënë se të gjithë anëtarët kanë konfirmuar se nuk ka alternativë tjetër në këtë dialog.
“Kjo është një fazë e vështirë e dialogut, por dialogu gjithmonë vazhdon. Federica Mogherini gjithmonë ka kërkuar nga të dyja palët që të flasin për të gjetur një kompromis”, theksoi Fabrici.
Në këtë intervistë, Fabrici ka folur edhe për taksën doganore që Kosova ka vendosur ndaj mallrave të Serbisë. Sipas tij, vendosja e kësaj takse është në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s.
“Ne kemi bërë thirrje dhe jemi duke bërë thirrje për heqjen e kësaj takse. Ne po kërkojmë në vazhdimësi nga Prishtina që ta heq këtë masë doganore. Është një punë që po ndodh, ne shpresojmë që autoritetet e Prishtinës do të dëgjojnë thirrjen tonë dhe do të kuptojnë se kjo taksë po rrezikon tregtinë”, deklaroi Fabrici.
Sipas tij, edhe vet komisioneri Johannes Hahn kur ishte në Prishtinë kërkoi heqjen e kësaj takse dhe se ka ardhur koha që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje për këtë.
“ Tani është koha kur Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë një zgjidhje apo një marrëveshje për këtë. Jo të gjitha presionet mund të vijnë dhe duhet të vijnë nga BE. Të dyja palët duhet të gjejnë një marrëveshje për të gjitha çështjet që janë në tavolinë”, theksoi Fabrici, transmeton lajmi.net.
Fabrici ka përgëzuar Serbinë për siç theksoi ai, qëndrimin dhe qasjen e kujdesshme që ka marrë në këtë drejtim.
Në këtë intervistë Fabrici ka insistuar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë dhe duhet të arrihet drejt zgjidhjes së një marrëveshjeje.