Themeluesi i rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg, ka paralajmëruar lansimin e një mjeti që do japë informacione se ku mund të vaksinohen njerëzit kundër COVID-19. Përmes njoftimit, Zuckerberg shkruan se kjo do të jetë në Qendrën e Informacionit COVID, ku drejtpërdrejt, përdoruesit e Facebookut do informohen për qendrat e vaksinimit.
Kjo fushatë sipas tij do bëhet që t’i shtyjnë njerëzit të marrin vaksinën anti-COVID dhe të kenë kujdes ndaj virusit. Kjo Qendër do lansohet edhe në Instagram.
“Ne jemi duke punuar me autoritetet shëndetësore dhe qeveritë për të zgjeruar platformat e bisedave të tyre WhatsApp për të ndihmuar njerëzit të regjistrohen për vaksinat. Më shumë se 3 miliardë mesazhe në lidhje me Covid tashmë janë dërguar nga qeveritë, organizatat jofitimprurëse dhe organizatat ndërkombëtare për qytetarët përmes WhatsAppit zyrtar, kështu që ky azhurnim do të ndihmojë edhe në përpjekjet e vaksinimit”, ka thënë ai.