Në takimin e mbajtur, KQZ-ja ka aprovuar rekomandimin për zyrën e presidentit të Republikës së Kosovës për kandidatin e radhës për deputet të Kuvendit të Kosovës.
Pra u miratua që Fadil Nura të jetë deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës i cili do të zëvendësojë Kadri Veselin.
Nura, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 ka arritur të marrë 8,959 vota.
Poashtu në këtë mbledhje, KQZ-ja certifikoi listën përfundimtare të votuesve për komunën e Podujevës dhe të Mitrovicës së Veriut, në të cilat do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Lista përmbanë 87 mijë e 381 votues, apo 552 votues më shumë në krahasim me listën përfundimtare të votuesve të certifikuar për zgjedhjet e komunës së Podujevës të planifikuara për t’u mbajtur më 15 mars 2020.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qendrave të votimit në këtë komunë është 45 me gjithsej 115 vendvotime. Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Komunën e Mitrovicës së Veriut përmban 23 mijë e 313 votues, apo 489 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet paraprake të mbajtura në këtë komunë më 6 tetor 2019.
Në këtë komunë numri i qendrave të votimit është 7 me gjithsej 27 vendvotime.