Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon ka thënë të mërkurën se Kosova duhet ta ratifikojë Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi ose të gjejë një alternativë tjetër, por sipas saj, vendimi duhet të merret nga politikanët e Kosovës.
Ajo në një intervistë për Deutche Welle i ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës të mos i manipulojnë njerëzit dhe të mos përdorin retorikë, pasi sipas saj liberalizimi i vizave është shumë më kompleks se plotësimi i kriterit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
“Situata në Kosovë është komplekse. Kuptoj ndjeshmërinë e politikanëve të përgjegjshëm të Kosovës, të qeverisë, të Parlamentit ndaj kriterit të demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Por dua të vë në dukje që ky kriter për heqjen e regjimit të vizave u vu nga Komisioni Evropian dhe për këtë qeveria Thaҫi ra dakord. Nëse ka diçka që nuk mund të pranohet tani, që nuk mund të zbatohet tani, atëherë Parlamenti dhe politikanët e Kosovës duhet të propozojnë alternativa, dëshiroj t’i inkurajoj ta bëjnë këtë. Por kam frikë, druhem se mos përdorimi i retorikës së heqjes së regjimit të vizave po përdoret nga politikanët e Kosovës për situatën e brendshme politike dhe liberalizimin e vizave po e mbajnë peng të kësaj situate. Uroj që Kosova të ketë sa më parë liberalizim të vizave dhe për këtë po përpiqem në Parlamentin Evropian. Kosova duhet ose të ratifikojë në Parlament marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi ose të gjejë një alternativë tjetër. Vendimi është për t’u marrë nga politikanët e Kosovës. U bëj thirrje të mos i manipulojnë njerëzit, të mos përdorin retorika. Liberalizimi i vizave është shumë më kompleks se plotësimi i kriterit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe politikanët e Kosovës janë dakord me këtë”, tha Fajon.