Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ka ballafaquar Lëvizjen Vetëvendosje me dështimet e kësaj partie në qeverisje.
“FAKTET PO JU ÇMENDIN. Fushatat e juaja linçuese me profile FALLCE nuk më ndalin”, shkruan ajo derisa ka shpërndarë edhe fotografi nga biseda e Mimoza Kusari – Lilës, me organizatorin e sulmit terrorist të Banjskës, Millan Radojqiçin.
Shton se partia në pushtet, të vetmen fjalë e “Listën Serbe dhe Serbinë”, pasi sipas saj kanë dështuar e janë zhytur në korrupsion.
“Ju sot, pas pesë vitesh në pushtet, të vetmen fjalë që keni është Lista Serbe dhe Serbia. Sepse keni dështuar në secilin sektor dhe jeni zhytur deri në veshë në korrupsion. Sikur të ishte ndryshe, ju temë diskutimi do t’i kishit sukseset e qeverisë jo shpifjet”, shkruan Bajrami.
Tutje thotë se LVV-në nuk e shpëtojnë as “koordinimet dhe marrëveshjet e dakordimet me Radojqiqin”.
“Për pesë vjet qeverisje: A e keni lirë rrymën? A e keni liru bukën, vajin, sheqerin? A e keni luftu korrupsionin? A i keni shti hajnat në burg apo jeni bërë streha me e sigurt e tyre? Sa kontrata njëburimore i keni nënshkruar? Cilat rrugë i keni ndërtuar? Për Gjilan, për Pejë, për Mitrovicë, për Podujevë? Çka keni bërë për shëndetësi? Çka për arsim? Grantet? Subvencionet? Kush janë ata që nuk i përgjigjen Prokurorisë? Kush janë ata që sulmojnë institucionet?”, pyet ajo, derisa i fton të ballafaqohen me të në cilëndo studio televizive.
“Ju nuk keni çka tregoni, andaj tërë ditën krijoni armiq e në mbrëmje vajtoni si askush nuk po dëshiron me qeverisë me ju”, shkruan Bajrami.
“Pakicat s’kanë asnjë peshë në vendimmarrje për t’ua lehtësuar jetën gjithë qytetarëve! Është Albin Kurti ai i cili i ka faktorizu Listën Serbe, duke i përdorë si hije për dështimet në qeverisje. Gjithashtu e vërtetë është se Albin Kurti e LVV-ja janë koordinuar me Radojiçiqin për pagën e veteranëve, kanë kërkuar vota prej tyre për me zgjedhë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Me një fjalë kanë tradhtuar, kanë mashtruar dhe kanë dështuar”, thotë tutje ish-deputetja Bajrami.
Ajo shton se “Videot me zë e me figurë origjinale, këta i kanë problem”.
“Më lejoni edhe njëherë të potencoj se: se askush nuk e ka penguar Albin Kurtin me i ndërtu 160 çerdhe, me i ndërtu rrugët magjistrale, me investu në arsim, me investu në shëndetësi, me luftu korrupsionin, me i mbajt familjarët për dasma, por ka DËSHTU. Hajde tash fushatë e re, zgjedhje të reja të ballafaqohemi me programe”, thotë Bajrami, derisa shton se “dështimet nuk mund t’i mbuloni me fushata me profile FALLCE e me Listën Serbe që nuk e keni shpallur organizatë terroriste, por e keni përdorë e jeni koordinuar kundër Kosovës”.