Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka pritur në takim pune hulumtuesit nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Vesë Kelmendi, Rudinë Jakupi dhe Taulant Boshnjaku.
Temë e bashkëbisedimit të kryetarit Suma me mysafirët nga kjo qendër ishte ekstremizmit i dhunshëm dhe radikalizmit në Kosovë.
Komuna e Hanit të Elezit në disa raporte është vlerësuar si zonë ku fenomeni personave që janë bashkangjitur apo që përbëjnë potencial për bashkëngjitje formacioneve ekstremiste apo terroriste është i lartë.
Suma vlerëson se ka disa shpjegime që duhet ti bashkëngjiten këtyre raporteve nga fakti se për shumë kohë nuk kemi raste të reja të individëve që janë përfshirë në luftërat në Siri.
Sipas kryetarit Suma, pa dashur që në asnjë moment të minimizohet rreziku nga ky fenomen, në rastet konkrete të individëve të involvuar në luftërat në Siri domosdo duhet t’i referohemi edhe dimensionit kohor.
“Një pjesë e tyre janë kyçur në këto aktivitet atëherë kur lufta në Siri ka pasur një karakter tjetër. Dhe në momentet kur zhvillimet atje kanë marrë karakterin e një ekstremizmi fetar, një pjesë e tyre janë kthyer dhe janë përballur me procedura gjyqësore dhe dënuar sipas ligjeve në fuqi për pjesëmarrje në ato luftëra”, tha kryetari Suma.
Në bashkëbisedim është konstatuar se nga profilet e pjesëmarrësve konstatohet se faktorët kyç janë faktorët socio-ekonomik dhe papunësia mes të rinjve.
Duke u nisur nga këto konstatime shoqëria jonë duhet të ndihmojë individët që përbëjnë potencial për bashkëngjitje këtyre formacioneve ekstremiste apo terroriste të ju ndihmohet përmes programeve të risocializimit, u tha më tutje në takim.
Ishte vlerësim i përbashkët se në parandalimin e këtyre dukurive rol të rëndësishëm duhet të kenë institucionet shtetërore dhe ato fetare, thuhet në një komunikatë shtypi.