Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlić Radman, ka konfirmuar se Kroacia do ta ndihmojë Kosovën me 10 mijë vaksina anti-Covid, raporton Ekonomia Online.
Ai shtoi se vizita në Kosovë do të shërbejë për intensifikimin e bashkëpunimit.
“Kroacia dhe Kosova siç tha edhe ministrja janë vende tradicionalisht mike që kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme mes vete. Sot kam nder që me stafin tim të jem këtu në Kosovë. Kjo vizitë do të shërbejë për intensifikimin e marrëdhënieve”.
“Nuk duhet të harrojmë faktin se pikërisht Kroacia ishte një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe për këtë jemi shumë krenarë. Kam informuar ministren për vendimin e Kroacisë për dhurimin e 10 mijë vaksinave për luftimin e pandemisë. E di që kjo do të jetë e rëndësishme për jetën e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ndër të tjera ai.
Këto komente ai i bëri pas takimit me ministren e Punëve të jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, të cilën e falënderoi në gjuhën shqipe, duke i thënë “Faleminderit Donika”.