Falja e 100 eurove nga Tatimi në Pronë, avokati del kundër dërgimit të ligjit në Kushtetuese

Prishtinë | 23 Gus 2023 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar pasi Asociacioni i Komunave të Kosovës ka paralajmëruar se do ta dërgojnë Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.

Prandaj, ai ka kërkuar nga pushteti qendror dhe ai lokal që mos ta dëmtojnë edhe më shumë “buxhetin e varfër të qytetarëve”.

Duke iu referuar Kushtetutës së Kosovës, ai tregon se përcaktohet që “Komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt”.

Sipas tij, Asociacioni i Komunave jo, “por komunat kanë legjitimitet për të kontestuar një ligj apo akt të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese”.

“Është i pamohueshëm fakti që përmes ndryshimit dhe plotësimit të ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, ju zvogëlohen të hyrat komunave, për çka përmbushet edhe elementi esencial që një akt (Ligj), në rastin konkret mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese”, shkroi ai në Facebook.

Mirëpo, ai thotë se nuk duhet bërë një veprim i tillë.

“Por, a duhet bërë një veprim i tillë, natyrisht se JO. Përtej kalkulimeve politike, kjo do ta rëndonte edhe më shumë buxhetin e varfër të qytetarëve, aq më tepër kur gati në çdo vit organizatave buxhetore, duke përfshirë edhe atë të komunave ju teprojnë mjete financiare, pra ka suficit buxhetor”, shtoi ai.

“Andaj, do të ishte mirë që komunat të solidarizohen sadopak me këtë çështje, ta kenë në konsideratë interesin e qytetarëve dhe të mos e kundërshtojnë faljen e një pjese të borxhit të tatimit në pronën e paluajtshme. Mos e varfëroni qytetarin më tej”.

Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, Ministria e Financave nuk i ka konsultuar fare kur mori vendim për ndryshimin e këtij Ligji.

“Ministria e Financave, Transfereve dhe e Punës (MFTP) mori vendim që ta ndryshoj Ligjin mbi Tatimin në Pronën e Palujatshme ku gjatë procesit të amandamentimit nuk konsultoi fare Komunat e Republikës së Kosovës. Kryetarët e Komunave dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar nga niveli qendror që të konsultohet sa i përket amandamentimit të këtij ligji sepse ky ligj i prek në mënyrë të drejpërdrejtë buxhetet e Komunave. Pastaj, MFTP-ja e dërgoi për miratim në Qeverinë e Republikës së Kosovës këtë projekt ligj pa konsulta me Komunat. Qeveria e miratoi si të tillë dhe e procedoi për miratim në Parlamentin e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Të ngjashme