Interi mund ta ketë një investitor të ri nga Katari. Familja Al Thani synon ta blejë një pjesë të aksioneve të klubit zikaltër, ndërsa pronari aktual, fondi amerikan Oaktree, nuk duket se e ka ndërmend të largohet nga drejtimi i klubit.
Sipas asaj që raporton gazeta italiane “Il Messaggero”, një burim i lidhur me familjen Al Thani ka shqyrtuar mundësinë e blerjes së një pakete minoritare të aksioneve të Interit, përcjell “Gazeta Express”.
Për momentin nuk bëhet fjalë për negociata konkrete, por interesi është domethënës, duke e pasur parasysh se Oaktree është pronare e klubit që nga maji i vitit 2024.
Një marrëveshje e mundshme nuk do ta nënkuptonte ndryshimin e kontrollit mbi klubin.
Megjithatë, shitja e një pjese të aksioneve do t’ia mundësonte fondit amerikan ta rikuperonte një pjesë të investimit dhe, mbi të gjitha, ta përcaktonte një vlerë konkrete për Interin, në funksion të skenarëve të mundshëm në të ardhmen.
Oaktree e mori drejtimin e klubit pas dështimit të familjes Zhang për ta shlyer huanë e marrë nga fondi amerikan.
Që atëherë, struktura drejtuese e Interit ka mbetur kryesisht e pandryshuar.
Edhe pse shitja e klubit nuk është aktualisht në planet e Oaktree, një lëvizje e tillë është pjesë e strategjisë së zakonshme të fondeve të investimeve.
Interesimi nga Katari mund ta përbëjë mundësinë e parë për ta ndryshuar strukturën e pronësisë, pa e prekur aksionarin kryesor.
Në sfond janë edhe rezultatet financiare të klubit zikaltër. Interi e mbylli bilancin e fundit me të ardhura prej 517.7 milionë eurosh dhe fitim prej 22.7 milionë eurosh, ndërsa kapitali neto është rikthyer në vlera pozitive.
Një tjetër faktor me rëndësi është projekti i stadiumit të ri, i cili pritet të ndikojë në vlerësimin e ardhshëm të klubit.
Ndërkohë, lidhjet tregtare mes Interit dhe Katarit janë forcuar gjatë viteve të fundit, përfshirë edhe bashkëpunimet në fushën e sponsorizimeve.