Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor tre të miturit për vrasjen e 16-vjeçarit, Aulon Zeka.
Vendimi i gjykatës për tre të miturit ishte i ndryshëm, ku G.H., u dënua me burgim prej nëntë vite e gjashtë muaj, e mitura R.G., me tri vite, ndërsa të miturit L.Ll., iu shqiptua dënim prej një vit e gjashtë muaj.
Avokati i familjes së të ndjerit Zeka, Skender Musa për Indeksonline ka thënë se procesi gjyqësor ka qenë në pajtim me dispozitat ligjore, mirëpo që kanë pritur dënime maksimale.
“Procesi gjyqësor është zhvilluar në pajtim me dispozitat ligjore, mirëpo kemi pritë dënime maksimale duke pasë parasysh peshën e veprës penale, pasojat e shkaktuara, dhe mospendimin e të miturve dhe moskërkim faljen për vrasjen e të miturit”, ka thënë Musa.
I pyetur se si e ka pritur familja këtë vendim, avokati Musa ka thënë se kanë pritur sanksion penal me të lartë, marrë parasysh që bëhet fjalë për vrasje.
Ai ka shtuar se do të paraqesin ankesë vetëm sa i përket sanksionit penal.
“Po, do të paraqesim ankesë vetëm sa i përket sanksionit penal”, ka theksuar avokati Musa.
Ndërsa, ka shtuar se kanë qenë të kënaqur me procedurën në shkallën e parë.
“Familja ka pasë frikë nga manipulimi i procesit, mirëpo ka qenë e kënaqur me procedurën në shkallë të parë. Ndërkaq, për sanksion penal ka pritë që do të jetë më i lartë”, ka thënë ndër të tjerash avokati Skender Musa.
Ndryshe, të miturit G.H., i është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit. Rasti ndaj të miturve G.H., R.G., dhe L.Ll., ka qenë në rigjykim.
Aulon Zeka u vra më 16 shtator 2017 në Prishtinë.