Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pasi në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës, dikush ka vendosur një baner, ku është vënë fotografia e motrës së tij, Besarta Jasharit.
Ai e quan të papranueshme që në “baner me motive politike” të vendoset edhe fotografia e saj.
“Është e papranueshme, jo njerëzore dhe jo etike, keqpërdorimi i personalitetit të motrës sime, Besartës, për qëllime të caktuara politike”, ka shkruar Jashari në Facebook.
Sipas tij, ky veprim para zgjedhjeve, nuk i bën nder historisë së Kosovës, “as atyre që në emër të vlerave tona kombëtare tentojnë të përfitojnë politikisht”.
Jashari ka kërkuar nga organet e rendit dhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të verifikojnë rastin dhe të veprojnë sipas legjislacionit.
Besarta Jashari në datat 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 ishte brenda shtëpisë bashkë me anëtarët e tjerë të familjes kur u rrethuan nga forcat serbe. Në këto data, anëtarët e kësaj familje të gjendur brenda shtëpisë, u vranë. Ndërsa, ajo mbeti e mbijetuar nga sulmi.