Ka gati dy muaj që Ragip Kajtazit nga fshati Syriganë, i Komunës së Istogut, i vdiq motra në moshën 71-vjeçare në Klinikën Intensive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Ajo aty kishte qëndruar për nëntë ditë si paciente me Covid-19. Familja e së ndjerës nuk po beson se ajo vdiq nga koronavirusi. Thonë se për këtë rast do ta padisin shtetin. Por, çka po ndodh me vdekjet e dyshimta nga Covid-19 në Kosovë? Express ju sjell detaje
Më 9 shtator, Ragip Kajtazi, nga fshati Syriganë në Komunën e Istogut, mori lajmin se motra e tij vdiq në Klinikën Intensive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe ishte e hospitalizuar si paciente me COVID-19.
Lexo Edhe:
Vuçiq tregon marrëveshjet që sot i arriti me Edi Ramën e Zoran Zaevin
Megjithatë, ai filloi të dyshojë se motra e tij 71-vjeçare kishte vdekur nga virusi, pasi që nuk kishte marrë asnjë dokument zyrtar nga mjekët që vërtetonte se ajo kishte qenë e infektuar.
Në një rrëfim për Gazetën Express, Kajtazi ka theksuar se nuk beson që motra e tij ka qenë e infektuar me Covid-19.
“Motrës i ka dal testi negativ. Njëherë ka qenë pozitiv, por herën e fundit i ka dal negativ. Ajo ka qenë 71-vjeçare. Ajo 33 vite ka jetu në shpi tek unë. Unë e kam pas në Istog rregullisht. Më 1 shtator e kam drejtu në Pejë, atje nuk kishin mundësi për t’i jap ndihmë asaj. Ma kanë dhanë udhqzimin më 1 shtator për me e çu në Prishtinë. Aty ka qëndrua deri me të 9’in kur edhe ka vdekë. Aty ka ndërruar jetë. Testi i ka dal negativ. Më 11 shtator ne e kemi varrosë. Nëntë ditë ka qëndrua në QKUK”, e shpjegon ngjarjen Kajtazi.
Ai shprehet i bindur se edhe obduksioni i bërë në trupin e 71-vjeçares ka rezultuar se ajo nuk ka qenë e prekur me koronavirus.
“Ajo i ka pas disa komplikime të vogla, por jo edhe aq shqetësuese. Motra ime nuk ka pas virus. Asaj i kanë dhënë injeksione kundër Covidit e që nuk e ka pas virusin edhe ka ardhur deri tek ajo situatë. Unë kam qenë i dyshimtë rreth vdekjes. Autopsia ka dal që ajo nuk e ka pas Covidin”, shprehet vëllai i 71-vjecares tashmë të ndjerë.
Ragip Kajtazi shprehet se e ka në plan që ta padisë shtetin, saktësisht mjekët për këtë rast.
“Në polici kam qenë, kam dhënë deklaratë. Unë do t’i padis mjekët. Ku mbytet njeriu i shënoshë?”, thotë ky person.
E nga Prokuroria e Shtetit kanë hezituar që të përgjigjen rreth këtij rasti dhe të tjerëve për Gazetën Express, ndonsëse mediumi ka rreth një javë që ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
E rasti i familjes Kajtazi nuk është i pari në Kosovë. Një rast tjetër ka ndodhur gjatë muajit prill.
Pas dyshimeve që patën familjarët e një gruaje 39-vjeçare nga Istogu, që ishte viktima e tetë nga koronavirusi në Kosovë, kërkuan që t’i bëhej autopsia.
Asnjë nga familjarët e saj nuk kishin rezultuar pozitivë me koronavirus, andaj me kërkesë të tyre, trupi ishte zhvarrosur për t’iu kryer autopsia.
Rezultatet vërtetuan se ajo nuk kishte qenë e infektuar.
E edhe në fillim të muajit korrik, saktësisht më 5 korrik, disa familjarë ngritën dyshime për vdekjen e të afërmve të tyre që ishin të shtrirë në Klinikën Infektive si pacientë me COVID-19./GazetaExpress/