Familjarët e gylenistëve ikin nga Kosova, lypin azil në Gjermani

Prishtinë | 08 Qer 2018 | 09:25 | Nga

Bashkëshortja dhe dy djemtë e Mustafa Erdemit, drejtor i kolegjit “Mehmet Akif”, i arrestuar dhe i dëbuar muaj më parë për në Turqi, kanë ikur nga Kosova dhe besohet se kanë kërkuar azil në Gjermani.

Largimin e tyre nga vendi e kanë konfirmuar koordinatori i Kolegjit, si dhe avokati mbrojtës. Ambasada Gjermane është deklaruar se nuk mund t’i konfirmojë këto informata.

Arrestimi dhe dëbimi për në Turqi i Mustafa Erdemit, drejtor i kolegjit “Mehmet Akif”, ka bërë që familjarët e tyre të mos ndihen të sigurt në Kosovë pavarësisht premtimit të kryeministrit Ramush Haradinaj se Qeveria të cilën ai e drejton do të kujdeset për ta.

Pikërisht për shkak të frikës se mund të ekstradohen për në Turqi në të njëjtën mënyrë si kryefamiljari i tyre Mustafa Erdem, bashkëshortja dhe dy djemtë e tij tashmë janë larguar nga Kosova.

Burime të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se bashkëshortja dhe dy djemtë e Mustafa Erdemit ndodhen në Gjermani, në të cilën besohet se kanë kërkuar azil.

Largimin nga Kosova të bashkëshortes dhe të djemve të Mustafa Erdemit e ka konfirmuar për “Zërin” edhe koordinatori i kolegjit “Mehmet Akif”, Alush Ergini, si dhe avokati mbrojtës.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme