Familjarët kërkojnë kthimin e kufomës së gazetarit të vrarë saudit

Prishtinë | 05 Nën 2018 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Të bijtë e gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi, kanë kërkuar kthimin e kufomës së babait të tyre dhe kanë thënë se duan që të kthehen në Arabinë Saudite për ta varrosur atë.

Në një intervistë për CNN, Salah dhe Abdullah Khashoggi, thanë se pa kufomën e babait të tyre, familja nuk është në gjendje që të mbajë zi dhe ta përballojë peshën emocionale të vdekjes së së tij.

“Kjo nuk është një situatë normale, kjo fare nuk është një vdekje normale. E gjitha që ne duam tani është që ta varrosim në varrezat e Al-Baqit në Medinë, bashkë me pjesën e mbetur të familjes”, ka thënë Salah Khashoggi. “Kam biseduar lidhur me këtë gjë me autoritetet saudite dhe thjeshtë shpresoj që kjo të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur”.

Jamal Khashoggi, kolumnist i “Washingtont Post” me qëndrime kritike ndaj Qeverisë saudite dhe de facto sunduesin e saj, princin e kurorës Mohammed bin Salman, ishte vrarë menjëherë pasi që ka hyrë në konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor.

Autoritetet saudite kanë pranuar se Khashoggi është vrarë në një veprim të paramenduar, duke i përgënjeshtruar deklaratat e mëhershme se vdekja e tij ishte e paqëllimshme.

Zyrtarët turq dhe disa ligjvënës amerikanë kanë thënë se pikërisht princi Mohammed ka dhënë urdhër për këtë vrasje, një pretendim ky të cilin Riadi zyrtar megjithatë e kundërshton.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme