Familjarët në Ferizaj rrëfejnë për gruan që u dogj nga shpërthimi i bombolës së gazit

Prishtinë | 14 Qer 2018 | 15:34 | Nga

Më shumë se 80% e trupit të 53 vjeçares A.J, nga fshati Prelez i Muhaxhirëve në Ferizaj, pësoi djegie javën që shkoi. Plagët e rënda që dyshohet se u shkaktuan nga shpërthimi i një bombole të gazit në dhomën e saj të gjumit, qenë fatale për të. Ky rast po cilësohet në QKUK si njëra prej djegieve më të rënda ndonjëherë.

“Gruaja ka ardhë në gjendje të rëndë, përqindja e madhe prej 80-90% e djegies ka shkaktuar edhe vdekjen e saj. Një prej djegieve më të rënda që moti nuk ka pasë në QKUK”, i thanë zyrtarë të QKUK-së Gazetës Express.

E ndjera tashmë është varrosur në varrezat e fshatit Prelez i Muhaxhirëve, ndërsa njëra prej familjareve të saj i tha Expressit se nuk ka informata se si mund të ketë ndodhur shpërthimi i bombolës së gazit. Ajo tha se rasti ka ndodhur në orën 8 të mëngjesit javën e kaluar.

“Nalt u kanë në dhomë të vet edhe në ora 8, u ni krismë edhe në oborrin tonë. Vajza e saj ka dalë, ka thirrë se e ka pa nanën t’u u djeg”, rrëfen familjarja e A.J.

Ajo thotë se bombola e gazit ka shkaktuar vdekjen e saj dhe e ka dëmtuar dhomën e gjumit ku edhe ka ndodhur rasti. Por familjarët tashmë e kanë lyer dhomën sepse nuk kanë dashur ta shohin në atë gjendje.

“Kanë thanë një plin që e ka pas një bocë. 53 vjet u kanë, nanë e gjashtë fëmijëve. Dhomën e kanë ly, s’kanë dashtë me pa ashtu”, vazhdon rrëfimi.

Ajo thotë se A.J. ka pësuar djegie të shumta dhe sipas saj vetëm fytyra i ka shpëtuar pa iu djegur.

Viktima ishte nisur për në QKU nga Ekipi i Emergjencës që kishte dalë në vendin e ngjarjes, por dy ditë më vonë e njëjta kishte ndërruar jetë.

“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion”, ka njoftuar Policia.

Agim Gashi nga policia rajonale e Ferizajt, i tha Expressit se për këtë rast Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, zjarrfikësit kanë lokalizuar zjarrin, ndërsa viktima është dërguar në QKUK, por ka ndërruar jetë pas disa ditësh.

Burri i të ndjerës dhe fëmijët gjatë ditës së sotme nuk ishin në shtëpinë e tyre, ndërsa fqinjët thanë se ata kanë shkuar me një të pame larg nga fshati i tyre.

Bombola e gazit që përdoret kryesisht për gatim të shpejtë ka shkaktuar edhe më parë tragjedi nëpër familjet kosovare.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme