Para pak minutash në varrezat e Zllatarit në Matiqan i është dhënë lamtumira e fundit 60 vjeçares Hysnije Krasniqi e cila ndërroi jetë në ngjarjen tragjike të së hënës në lagjen “Dardania” në Prishtinë.
Ajo u vra nga bashkëshorti i saj Hasan Krasniqi i cili vrau gjithashtu edhe renë 28 vjeçare [Remzije Krasniqi] dhe në fund edhe veten.
I pari është varrosur sot në varrezat e fshatit Grashticë të Prishtinës.
Vëllau i të ndjerës, doktor Salihi Krasniqi, ka treguar për Klan Kosovën arsyet pse motra e tij nuk është varrosur në të njëjtat varreza me bashkëshortin e saj dhe njëherit dorasin e këtij krimi.
Ai ka thënë se si familje nuk kanë lejuar që motra e tij të varroset afër dorasit.
Krasniqi ka konfirmuar se motra e tij dhe bashkëshorti i saj, të dy tashmë të ndjerë, kanë pasë probleme bashkëshortore edhe më herët.
Ai gjithashtu ka thënë se Hasan Krasniqi ka pasë në të kaluarën vizita tek neuropsikiatri.
61 vjeçari Hasan Krasniqi, dy ditë më parë, në lagjen “Dardania” kreu një krim të trefishtë pasi vrau gruan e tij [Hysnije Krasniqi] një vit më të re, renë 28 vjeçare [Remzije Krasniqi] dhe në fund edhe veten.
Remzije Kamberi-Krasniqi pritet të varroset gjithashtu sot, në orën 16:20, në varrezat e Dragodanit.
Dy djemtë e të ndjerit nuk kanë dashur të flasin për këtë rast duke thënë se kjo çfarë ka ndodhur është një tragjedi.
Motivet e këtiji krimi të trefishtë ende nuk janë tërësisht të qarta, mirëpo besohet se autori kishte probleme psikike.