Familjari i një pacienti, kërcënon shefin e MIQ-it Shaqir Uka

Prishtinë | 09 Dhj 2022 | 19:53 | Nga Ekonomia Online

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se sot në vendin e punës, derisa po kryente detyrën e tij është kërcënuar Dr. Shaqir Uka, shef i Mjekimit Intensiv Qendror në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas një njoftimi për medie, kërcënimi ka ndodhur nga familjari i një pacienti të shtrirë në këtë njësi.

“ShSKUK dhe Klinika e Anestezionit e Mjekimit Intensiv Qendror dënojnë këtë akt, duke kërkuar nga organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe kryesi i kësaj vepre  të marr dënimin meritor”, thuhet në komunikatën e ShSKUK-së. 

“Puna në Mjekimin Intensiv është punë nën presion për shkak se në këtë njësi luftohet për jetën e pacientit, andaj kanosjet e tilla e vështirësojnë tejmase punën dhe pozitën edhe ashtu të rënduar të personelit në këtë njësi”, thuhet tutje në këtë komunikatë.

Të ngjashme