Familjet kundërshtojnë fuzionimin e nxënësve në shkollat e Drenasit, komuna kërkon të mos pengohet vijimi i mësimit

Prishtinë | 13 Sht 2018 | 16:48 | Nga

Të enjten është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Drenasit e thirrur nga 12 anëtarë të Kuvendit për të diskutuar rreth fuzionimit të paraleleve në Abri, Gjergjicë dhe Godanc, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Të pranishëm në këtë mbledhje të jashtëzakonshme ishin, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, kryesuesi i Kuvendit, Labinot Halilaj, drejtor të drejtorive komunale, anëtarët e Kuvendit Komunal, përfaqësues të mediave dhe monitorues nga organizata KDI.

Lladrovci ka kërkuar nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend ta miratojnë këtë rend dite, në mënyrë që të zhvillohet debat konstruktiv rreth çështjes së thirrur për këtë seancë, transmeton Koha.net.

Kryesuesi i Kuvendit, ka hedhur në votim pikën e rendit të ditës dhe nga të gjithë anëtarët pjesëmarrës në këtë mbledhje e kanë votuar rendin e ditës.

“Pas miratimit të pikës për rend dite – mbyllja e shkollave në Abri, Gjergjicë dhe Godanc, është zhvilluar një debat nga ana e anëtarëve të Kuvendit, ku secili anëtar i Kuvendit ka pas të drejtën e debatit më shumë se 10 minuta. Anëtarët e Grupit Parlamentar të PDK-së, kanë përkrahur fuzionimin e këtyre shkollave, pas arsyetimit nga ana e kryetarit Lladrovci se secili veprim ka qenë i harmonizuar me Ligjet e aplikueshme në Kosovë. Ndërsa pjesa më e madhe opozitare gjatë debatit e kanë kundërshtuar veprimin e ekzekutivit dhe kanë kërkuar rihapjen e paraleleve të ndara”, thuhet në komunikatë.

Lladrovci edhe një herë ka kërkuar nga prindërit që të mos e pengojnë procesin mësimor, por t’i lejojnë fëmijët e tyre në shkollat amë, pasi që Komuna i ka siguruar edhe transportin për vijueshmërinë e nxënësve.

Pas përfundimit të seancës, Lladrovci dhe kryesuesi i Kuvendit Labinot Halilaj, kanë takuar edhe disa nga prindërit e nxënësve të ish-shkollës në lagjen Muliqi në Abri.

Në këtë takim, prindërit kanë kërkuar edhe një herë rihapjen e paraleles në këtë lagje, por kryetari Lladrovci ka sqaruar të pranishmit se fuzionomi i paraleleve nga shkolla amë, ka qenë i harmonizuar me dispozitat ligjore dhe ka kërkuar nga prindërit mos te pengojnë, por të lejojnë fëmijët e tyre për të vijuar mësimin, sepse Komuna sipas Ligjit i ka siguruar transportin. Një pjesë e prindërve, janë deklaruar kategorisht se nuk pranojnë t’i qojnë ne shkollën amë fëmijët e tyre dhe të ju bëhet transporti i tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme