Plot tri orë ka zgjatur mbledhja e Këshillit Drejtues të Teatrit të Kosovës për të shqyrtuar pesë kandidaturat për drejtor artistik të këtij institucioni. Me shumicë votash, të premten, regjisorit Fatos Berisha i është besuar drejtimi i programit të Teatrit Kombëtar të Kosovës për katër vjetët e ardhshëm. Emri i tij është përmendur edhe pa u shpallur rezultati, shkruan sot Koha Ditore.
“Kandidati Fatos Berisha i ka plotësuar të gjitha kriteret juridike dhe profesionale për ta ushtruar detyrën e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Ai ka dhënë dëshmi bindëse se mund ta drejtojë në planin artistik institucionin më të madh teatror në vendin tonë”, ka thënë Këshilli Drejtues i Teatrit në kumtesën për media.
Të premten, dy ditë pas testit me shkrim, është mbajtur pjesa e intervistimit të pesë kandidatëve, të cilët kanë paraqitur edhe projektet e tyre për Teatrin. Fatos Berisha është vlerësuar si më i miri duke marrë 93.89 pikë gjatë testit dhe intervistës. I dyti më radhë ka dalë Ben Apolloni me 76.93 pikë. Prej kandidatëve të tjerë, Sokol Plakolli ka marrë 69.78 pikë, Valina Muçolli 59.98 dhe Avdi Gërvalla me 45.67 pikë. Këto kanë qenë rezultatet e konkursit publik të shpallur më 22 maj të këtij viti. Kryetari i Këshillit Drejtues, Fisnik Ademi, ka thënë se procesi i përzgjedhjes ka qenë transparent dhe gara interesante mes kandidatëve.Koha.Net