Muajve të fundit sikurse edhe këto ditë vazhdon të jetë temë kryesore në opinion shtrenjtimi i energjisë elektrike në vend, sidomos në këtë kohë kur çmimet në përgjithësi po rriten dita ditës.
Arsyetimi i Qeverisë së Kosovës për shtrenjtimin e energjisë elektrike është se vendi ynë po blen rrymë me çmime të larta dhe nuk mund të plotësoj kërkesën me prodhimin e rrymës që është në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Shtrenjtimi i energjisë, vendim ky i ZRRE-së ka hyrë në fuqi që nga data 9 shkurt të këtij vitit, derisa këto ditë kanë nisur me të madhe ankesat e qytetarëve se faturat në derën e tyre po u vinë me çmime të larta.
Ditë më parë janë organizuar edhe protesta kundër këtij vendimi të miratuar nga Qeveria e Kosovës, protesta të thirrura nga PSD dhe grupe të tjera qytetarësh me të njëjtin qëllim, kundërshtimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Lidhur me shtrenjtimin e energjisë ka folur njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriu, derisa krejt këtë ngjarje ai e përshkruan si hajni.
‘’Derisa nuk bëhet matja në kohën e duhur, dhe ngarkesa mbi rritjen e duhur, kjo është një lloj hajnie. Kjo lë të kuptoj se më 9 shkurt është marrë vendimi, me 22 ka ardhur fatura, ata e kanë gjetur një përqindje mesatare, që unë nuk e di çfarë përqindje kanë marrë dhe këtu nuk është vepruar drejt’’,tha ai.
Sipas tij, rritja e faturave të energjisë elektrike ishte e pakuptimtë dhe se faturat me çmime të larta është dashtë të bëhet në mënyrë të drejtë prej datës së caktuar deri në datën kur bëhet një muaj.
‘‘Është dashur që me mbarimin e këtij muaji, kur fillon të del fatura , ta zëmë prej 22 shkurt deri më 22 mars me ardhë fatura me çmimin e ri, edhe pse kjo rritje e faturave të energjisë elektrike ishte e pakuptimtë’’,tha Kadriu për InLajmi.
Në anën tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, këtë të martë në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se ka pasur paqartësi në fatura dhe janë paraqitur numrat më të lartë se atë që duhet të paguajnë qytetarët. Madje krejt kjo paqartësi, siç tha ajo ka shfaqur dyshime tek qytetarët duke mos e ditur shifrën finale të faturës për t’u paguar.
Më tej, Rizvanolli, tha se për këto paqartësi do t’i bëjë thirrje KESCO-s të dalë me një sqarim për qytetarët.
E këto komente të Rizvanollit, Kadriu i ka quajtur deklarata të papërgjegjshme.
”Kjo është sikur të themi hajde t’ia mbushim mendjen njerëzve që nuk marrin vesh edhe njerëzit nuk e dinë. Veç ajo po din edhe kështu ka me ndodh, siç ka deklaruar Rizvanolli. Kjo i bie hajde ta prolongojmë procesin. Kjo është një papërgjegjësi totale e të gjithë strukturave që merren me këtë çështje’’,ka thënë Kadriu.
Ndryshe, InLajmi ka kontaktuar me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala, por ai nuk është përgjigjur në pyetjen e gazetës lidhur me ardhjen e faturave të ‘fryra’.
Por, shkurtimisht ai ka thënë se janë duke përgatitur një përgjigje për të gjitha mediat, gjegjësisht ka thënë se kjo gjë është mjaft komplekse dhe jo e lehtë dhe merr mjaft kohë për tu përgjigjur.