“Favore seksuale në Universitetin e Gjakovës, studentët do t’i dërgojnë rastet në Prokurori”

Prishtinë | 22 Sht 2016 | 09:17 | Nga

Parlamenti Studentor i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani” thonë se kanë hulumtuar në bashkëbisedim me studentë dhe se me vetë deklarimet e tyre, kanë siguruar fakte dhe prova të mjaftueshme që t’i dërgojnë në Policinë e Kosovës, po ashtu edhe në Prokurori, për mitmarrje, favore seksuale, ryshfetin, korrupsionin dhe shantazhet në këtë Universitet.

“Jemi të shqetësuar për këtë gjendje të rëndë që po ngjanë në Universitetin e Gjakovës, kërkojmë që sa ma parë të ndërhyjnë organet kompetente në këtë mes, me qëllimin që t’i shpëtojnë motrat, vëllezërit tanë nga persona të pandërgjegjshëm, të cilat janë duke bërë skandale me mjete financiare nga studentët, kushtëzime për nota, për favore seksuale dhe regjistrime në Fakultet me mjete të konsiderueshme të të hollave”.

“Në këtë skandal janë të përfshirë persona nga Administrata e Universitetit, asistentë, shefa të programeve dhe dekanët. Vlen të theksohet se këto histori prekëse të studentëve kanë ndodhur që nga viti 2015, ku për këtë bazohemi në fakte dhe prova të mjaftueshme, dhe të gjitha do t’i dërgojmë në organet kompetente, në kuadër të këtij krimi të organizuar janë të përfshirë edhe disa studentë, të cilët do t’i dërgojmë me emra pranë këtyre organeve të drejtësisë, për ndjekje të tyre”, thuhet në komunikatën e tyre.

Parlamenti Studentor kërkon që kjo të mos heshtet, ngase sipas tyre është turp dhe diskriminim nëse një person kushtëzohet nga “X personi” për një notë, ose rasti tjetër për regjistrim në Fakultet. Ata thonë se kanë fakte, se si vitin e kaluar “X personi” kërkon shumë prej 1500 euro, shumë e shumë raste të tjera, ose rastin mbi asistentët për favore seksuale etj.

“Të gjitha dosjet, incizimet dhe fotografitë do t’i dërgojmë pranë organeve të ndjekjes!”, thotë Parlamenti Studentor i Universitetit të Gjakovës “Fehmi Agani”.

Të ngjashme