Studentët marshojnë për t’i shprehur pakënaqësitë rreth gjendjes në arsim

Prishtinë | 01 Tet 2018 | 13:44 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Parlamenti i Studentëve i Universitetit të Prishtinës (UP) ka mbajtur një marsh për të shprehur pakënaqësinë me gjendjen në arsim.

Vetëm 7 studentë u lejuan të hynin brenda oborrit të rektoratit, të cilët në hyrje të objektit i lanë shënimet në të cilat ishin të shënuara pakënaqësitë e tyre ku në to shkruhej “Duam cilësi”, “Mos ma kufizo të ardhmen”, “Nepotizmi=Sëmundje”, “Rritni kriteret=Rritni mundësitë”.

Marshi ka nisur nga Rektorati dhe përfundoi te Ministria e Arsimit.

Arben Elshani, kryetar i Parlamentit Studentor, tha se ky aksion ka për qëllim të shprehë pakënaqësitë e studentëve ku, sipas tyre, ministri nuk po reflekton mbi kërkesat e tyre dhe kërkojnë që të zgjohet nga gjumi, raporton Ekonomia Online.

“Përmes këtij aksioni simbolik ne shprehim pakënaqësitë tona në arsimin në përgjithësi. Ne jemi struktura e re e Parlamentit të Studentëve të cilët duam të jemi shumë konkretë në punën tonë dhe kërkesat tona të cilat siç duket ministri është në gjumë dhe fare nuk po reflekton sa u përket kërkesave tona drejtuar tij”, tha Elshani.

“Ne kërkojmë nga ministri i Arsimit të zgjohet nga gjumi dhe të shohë nga afër nivelin e arsimit në këtë universitet dhe kështu kërkojmë në një bashkëpunim të ndërsjelltë dhe kërkojmë takim të përbashkët në mes ministrit, rektorit dhe kryetarit të Këshillit Drejtues”, tha ai.

“Ky aktivitet tregon vetë më shumë se çdo fjalë tjetër që e themi ne prandaj fokusi është te këto mbishkrime “Ministër, zgjohu nga gjumi” dhe përmes performancës muzikore tregon që ne duam që ky ministër të reflektojë sa më parë kërkesat tona drejtuar ministrit”, shtoi Elshani.

Të ngjashme