Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, gjatë kësaj jave, pritet të takojë presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të çuar përpara dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit.
Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Hashim Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë se pritet të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe të shkëmbehen ide për atë se si do të duhej të vazhdonte ky dialog.
“Do të bisedohet për modalitete se si do të vazhdojë dialogu dhe si do të duket dialogu në të ardhmen”, tha Arifaj.
Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, vazhdimin e dialogut dhe takimet ndërmjet presidenteve i shohin si të rëndësishme.
Ministrja për Dialog në Qeverinë në largim të Kosovës, Edita Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se vazhdimi i këtyre takimeve ndodh për faktin se disa nga marrëveshjet e arritura mes dy vendeve kanë ngecur në zbatimin e tyre nga ana e Serbisë. Sipas saj, Serbia është përgjegjëse për bllokimin e rreth tetë marrëveshjeve.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka gjashtë vjet që është duke vazhduar dhe gjatë këtij procesi janë arritur rreth 38 marrëveshje. Tahiri thotë se disa nga marrëveshjet kanë ngecur në procesin e zbatimit, kurse disa të tjera nuk kanë nisur fare të zbatohen.
“Serbia është bllokuese për këto marrëveshje, por në përgjithësi ky dialog ka dhënë rezultate edhe ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet tri palëve, pra edhe Kosovës dhe Serbisë edhe Bashkimit Evropian”, tha Tahiri.
Kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri vlerëson se tani dialogu duhet të hyjë në fazën përfundimtare dhe të përmbyllet me njohje reciproke ndërshtetërore.
“Mendoj që paqja mes dy kombeve të mëdha në rajon, shqiptarëve dhe serbëve mund të arrihet, në qoftë se ndodh njohja reciproke, përkatësisht të ndodhë vetëdijesimi i Serbisë që pas luftës dhe gjenocidit që e ka bërë në Kosovë, mënyra e kërkimit të faljes është njohja e shtetit të Kosovës dhe mbyllja përgjithmonë e konflikteve dhe armiqësive”, tha Tahiri.
Nga ana tjetër, analistët politikë konsiderojnë se vazhdimi i dialogut është një përkushtim i të dy presidentëve, por siç thonë ata, tash për tash nuk mund të pritet ndonjë marrëveshje konkrete.
Analisti Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se bisedimet mes dy vendeve do të vazhdojnë edhe për një kohë, dhe se ai nuk pret që në një afat të shkurtë kohor të ndodhë ndonjë kthesë e madhe, që si rezultat do të sillte njohjen e Kosovës si shtet nga ana e Serbisë.
“Mund të ndodhë që në një formë Serbia të pranojë realitetin e krijuar në Kosovë në kuptimin e një shteti të ri dhe mospengimin e këtij shteti për të shkuar përpara, por unë nuk besoj se brenda një kohe të shkurtër mund të ndodhë njohja faktike e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë”, tha Mushkolaj.
Në takimet e fundit, presidentët e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, kanë rënë dakord se do të nisin me punën për fazën e re të dialogut që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve. Thaçi e Vuçiq janë pajtuar që të formohen ekipet punuese dhe të nisin përgatitjet për këtë çështje.
Ministrja në largim, Tahiri thekson se për fazën e re të dialogut duhet të ketë grup gjithëpërfshirës.
“Duhet të ketë një ekip të spektrit të gjerë. Arsyeja është se faza përmbyllëse është faza më e rëndësishme, prandaj duhet të kemi një legjitimitet me bazë më të gjerë të përfaqësimit në raport me ketë dialog”, tha ajo.
Takimet në nivelin politik të presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, janë një dimension i ri i dialogut, i cili kryesisht është zhvilluar në nivelin e kryeministrave.
Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar takime në nivele të larta politike gjatë muajve shkurt dhe korrik.
Dy vendet kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013.
Normalizimi i marrëdhënieve është kusht edhe për Kosovën, edhe për Serbinë që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, ka thënë në Konferencën e ambasadorëve të Bashkimit Evropian se Ballkani është “prioriteti i katërt” i Bashkimit Evropian, ku BE-ja “mund të humbë më tepër dhe të fitojë më tepër”.