Serbia do të nisë këtë muaj dialogun e brendshëm për çështjen e Kosovës, ku Qeveria dhe Presidenca serbe kanë paralajmëruar formimin e grupeve të përbashkëta për këtë qëllim, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërkaq, Qeveria e re dhe Presidenca e Kosovës, përveç synimeve për ta çuar dialogun në një fazë tjetër, ende nuk kanë prezantuar një platformë se si synojnë ta bëjnë këtë. Zyrtarë qeveritarë kanë paralajmëruar arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare duke kërkuar që ndërmjetësues të bëhen edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, krahas Bashkimit Evropian.
Në Zyrën e Presidencës së Kosovës kanë thënë se të hënën do të mundë të flasin përkitazi me platformën e tyre për dialogun.
Dialogu me Serbinë është pjesë e programit qeverisës 2017-2021 të kryeministrit Ramush Haradinaj për të cilin sot (e hënë) do të zhvillohet debat parlamentar në Kuvendin e Kosovës.